“Habitat” i Viktor Ferraj ekspozohet në Galerinë Kalo

Artisti Viktor Ferraj prezantohet në Galerine Kalo me ekspozitën “Habitat”, ku sjell në mënyrë tepër të veçantë, nëpërmjet gërshetimit të ndjesisë së tij artistike me teknikën e fituar dhe perfeksionuar në Itali, Savona, detaje të jetës në komunitet e fqinjësi.

 

Në fytyrat e personazheve që artisti ka krijuar dallohet trishtim, brengë. Artisti nuk merr përsipër të na thotë shkakun e brengosjes; nëse nga vështirësitë e jetës, pabarazia mes banorëve, mungesa e furnizimit me ujë a energji, apo nga mjetet e pamjaftueshme për të përballuar koston e një jete me kushte të pranueshme.

 

Por, nga ana tjetër, në formë antiteze, ai na paraqet në shumicën e tablove një farë fryme mobilizimi, entuziazmi, që edhe pse nuk reflektohet tek sytë, apo tiparet e personazheve, shfaqet nëpërmjet lëvizjes në grup, përpjekjeve për organizim e koordinim, madje në disa prej tyre përfshihet kali, ndofta për shkak të simbolit të tij si përcaktues i fitoreve në betejat që kanë shoqëruar historinë njerëzore.

Artisti përdor edhe simbole të tjera si lavjerrësi, tuneli, mjete transporti primitive, etj. Këtë e bën për të treguar edhe karakteristikën e mjedisit – shumëllojshmërinë. Shumëllojshmëri në karakteret njerëzore, por edhe në atë të objekteve, saqë ekspozitës mund t’i përshtatej fare mirë edhe titulli “Shumëllojshmëri”. Ekspozita do jetë e hapuar nga 15-30 qershor 2017, Galeria Kalo, Tiranë.

 

 

Pin It