Histori frymëzuese/Peshkarexha u kthye…

Para disa vitesh, në një fshat të vogël të Holandës, në një nga netët e ftohta, tipike të këtij rajoni, stuhia, erërat e forta, rrufetë dhe shiu i madh, ia përmbysën peshkarexhën njërit prej peshkatarëve mu në mes të detit. Para se t’i përmbysej peshkarexha, peshkatari kishte arritur të dërgojë sinjalin e alarmit, të cilin e kishin parë fshatarët dhe ishin mbledhur në bregdet duke shqyrtuar mënyrën si t’i vinin në ndihmë.

Një peshkarexhë u nis menjëherë, ndërkohë që fshatarët e tjerë prisnin me padurim në breg, me elektrikë në duar të drejtuar nga deti dhe gjithë ankth. Peshkarexha çau detin gjithë dallgë dhe pas një ore u dallua në mes të mjegullës duke iu afruar bregdetit. Fshatarët brohoritën nga gëzimi dhe përshëndetën aktin heroik të atyre vullnetarëve që shpëtuan jetën e kolegëve të tyre. Pasi zbritën të gjithë nga kuverta, komandanti i peshkarexhës, i rraskapitur dhe në gjendje të vështirë i tha se te peshkarexha e mbytur ka mbetur dhe nje person të cilin nuk mundën ta marrin.

Duhej që dikush të dilte vullnetar dhe të shkonte ta merrte atë person. Një djalosh gjashtëmbëdhjetë vjeçar, çau rreshtat e burrave të fshatit dhe doli para tyre, i gatshëm për t’i shkuar në ndihmë personit që kishte mbetur në mes të detit. Me ta parë e ëma, e rroku për krahu dhe filloi t’i lutej: “Të lutem bir mos shko! Yt at ka lënë jetën në det para dhjetë vitesh dhe disa ditë më parë kemi humbur dhe vëllain tënd të madh Paulin. Vetëm ti ke mbetur në këtë familje.”

Por djaloshi iu përgjigj: “Duhet të shkoj patjetër nënë! Çfarë do të ndodhte nëse të gjithë do të thoshin të shkojë dikush tjetër?! Ky është një mision të cilin duhet ta kryej me nder. Kur dikush nga ne kërkon ndihmë, secili prej nesh duhet të brofë dhe të kryejë detyrën që e pret.”

E ëma e puthi në ballë dhe menjëherë djaloshi u ngjit në peshkarexhë, bashkë me ekipin e ndihmës së shpejtë. Peshkarexha u zhduk në natën e errët dhe detin plot dallgë. Kaluan disa orë, të cilat nënës së Hansit iu dukën si shekuj. Në fund, peshkarexha u shfaq duke çarë detin dhe mejgullën si shigjetë. Një djalosh i ri qëndronte në këmbë pranë kiçit të peshkarexhës. Kur ajo u afrua, dikush nga bregu i pyeti: “A e gjetët të humburin?” Djaloshi ia ktheu aty për aty: “Po e gjetëm! Shko dhe thuaj nënës sime që ishte im vëlla, Pauli.”

Pin It