Huffington Post/ Burgjet turke janë të mbushura me profesorë – si babai im

oors

Një profesor turk, i cili ishte koleg me tim atë dhe na vizitonte shpesh edhe në shtëpi, tashmë është i paaftë për të llogaritur sasinë e duhur të parave për të blerë një shishe uji tek kantina e burgut. Ai është i traumatizuar, si rezultat i ditëve të tëra që është keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje. Ai është duke bashkëndarë një qeli burgu me babanë tim, miq prej shumë kohësh, në Turqinë perëndimore.

Babai im, profesor në Universitetin e Sakarya për 16 vjet, është ndër rreth 2,500 akademikët që u larguan nga detyra dhe u arrestuan në lidhje me përpjekjen për grushtin e dështuar të shtetit më 15 korrik. Ai nuk e kishte imagjinuar kurrë se policia do mund të sulmonte shtëpinë tonë vetëm disa ditë pas komplotit të dështuar dhe do ta merrte në paraburgim.

Ai u mor në pyetje pafund gjatë 10 ditëve nën arrest, me orë të tëra çdo ditë, pyetje që ai nuk ua dinte përgjigjen. Ai u arrestua vetëm katër ditë pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdoan nënshkroi gjendjen e jashtëzakonshme që lejonte burgosjen e çdokujt deri në 30 ditë pa asnjë akuzë. Turqia pezulloi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe kjo nuk është metoda që përdor një vend që ende kërkon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

Për javë të tëra ai nuk mundi të takohej as me familjen dhe as me avokatin e tij. Për shkak se hetimi ishte i fshehtë, ai nuk u lejua të ishte i pranishëm në gjyqin e tij. Si mund ta mbrojë veten dikush që nuk e di për çfarë akuzohet?

Mediat pro-qeveritare turke patën një ditë fushate kur njoftuan se “akademikët tradhtarë u rrasën brenda”, duke përfshirë këtu edhe babain tim. Disa javë më parë, Erdogan nënshkroi një dekret me masa drakoniane që hoqi 2,436 akademikë nga pozicionet e tyre dhe revokoi fitimet e tyre. Ne u dëbuam përfundimisht nga shtëpia që kishim jetuar për vite me radhë. Babai im humbi çdo titull të fituar gjatë punës së tij 30-vjeçare si akademik. Pasaportat e gjithë familjes sime u revokuan. Familja ime nuk mund të udhëtojë jashtë vendit dhe meqënëse unë jam në Bruksel, nuk mund të shkoj në Turqi.

Të afërmit tanë nuk na flasin më nga frika se mund të etiketohen si mbështetës të grushtit të shtetit. Edhë një dyshim i vogël se një person është miqësor ndaj të akuzuarve për grushtin e shtetit, do ishte mjaftueshëm për të akuzuar njerëzit. Fqinjët tanë nuk i flasin më familjes sime dhe ata janë të vetëm në këtë dramë personale. Familja ime është plotësisht e ndarë nga shoqëria. Edhe pse babai im nuk ka dalë ende në gjyq për akuzat me të cilat po përballet, arrestimi i tij në një farë mënyre e ka damkosur shoqërisht familjen time si “tradhtare”.

Ashtu si shumica e qytetarëve turq babai im ndoqi ngjarjet e tmerrshme që u shpalosën atë natë në TV. Ai nuk e dinte se jeta do të merrte një kthesë të dhimbshme për të, pas asaj nate të tmerrshme. Që prej arrestimit të tij shumë akademikë nga i njëjti universitet janë vënë pas hekurave dhe tani numri ka arritur në më shumë se tridhjetë. Mijëra të tjerë kanë humbur lirinë dhe vendet e punës në të gjithë Turqinë.

Një prej tyre është një profesor i ri i asociuar. Unë e njoh këtë akademik prej vitesh dhe në vend që mësojë studentët e tij, ai tani ndodhet në një qeli burgu. Babai i tij ka kancer terminal dhe ai ka dy motra me aftësi të kufizuara dhe një grua shtatzënë. Pyes veten kush po kujdeset për familjen e tij tani që ai është në burg për “tradhti”?

Një tjetër kolege e babait tim tani po përjeton një dramë. Ajo u arrestua më 26 korrik dhe burri i saj, i cili është gjithashtu një akademik në të njëjtin universitet, u arrestua pak ditë më vonë. Fëmijët e tyre janë lënë nën kujdesin e gjyshes së tyre 80-vjeçare.

Unë nuk shoh më shifra në lajme. Unë personalisht i njoh historitë e tyre dhe mund ta imagjinoj se çfarë po kalojnë familjet e tjera. Duke qenë se di këto histori jete shumë më të tmerrshme se e jona, unë vetëm mund të jem mirënjohëse për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet familja ime.

Babai im u transferua kohët e fundit nga burgu i shtetit Sakarya në burgun shtetëror Bandirma dhe familjes sime i duhet të udhëtojë katër orë çdo dy javë për ta parë atë. Qelia e tij ka kapacitet për shtatë persona, por në të jetojnë 20 veta. “Jemi të gjithë akademikët në një qeli, kështu që kemi gjetur mënyra se si t’ia dalim”, i tha ai nënës sime.

Në orën pesë të mëngjesit, muajin e kaluar, rojet e burgut zgjuan babain tim dhe profesorët e tjerë të burgosur, për një transferim në një tjetër burg. Askush nuk e dinte se ku po shkonin. Familjet nuk ishin informuar. Drejtori i burgut i tha nënës sime se autoritetet lokale ua kanë ndaluar të tregojnë vendndodhjen e re të tim ati. “Ky është lloji i lojrave që ata luajnë me mendjet tona”, tha nëna ime. Ajo më në fund arriti ta gjente se ku ishte dhe nxitoi për ta parë atë para kohës së mbylljes së vizitave.

Edhe nëse im atë lirohet, ai e ka të ndaluar të aplikojë përsëri për një punë publike për gjithë jetën e tij. Edhe pse nuk ka një vendim gjykate për akuzën me të cilën po përballet ai, qeveria e ka zhveshur atë nga të gjitha përkatësitë e tij profesionale. Ai humbi titullin e tij, pagën e tij, dhe familja ime u detyrua të largohet nga shtëpia që kishin banuar prej vitesh.

Qeveria e ka dënuar familjen time me varfëri absolute. Babai im është vetëm një nga mijëra intelektualët e kualifikuar dhe punëtorë, jetët e të cilëve u hodhën në rrëmujë. Nuk ka të ardhme për ta.

Ajo që është më e tmerrshme në këtë përvojë të hidhur, është heshtja e varrit e të afërmve dhe kolegëve të tjerë. Ata mendojnë se familjarët e tyre dhe të afërmit do të torturohen në burg, nëse ata flasin. Ata kanë frikë se policia do të shfaqet në pragun e tyre, nëse ata ngrenë zërin kundër kësaj padrejtësie. Frika e tyre nuk është pa arsye: çdo njeri është duke bërë përpjekje të dëshpëruara për të distancuar veten nga kritikat.

Por qeveria turke ka shpallur një luftë me të drejta të plota ndaj kujtdo që ajo e cilëson si kritik. Nga gazetarët te akademikët, qeveria nuk ka asnjë grimcë tolerance ndaj ndonjë mendimi alternativ akademik.

Njerëzit e arrestuar mund të shfaqen në gazeta si numra, por ata janë para së gjithash të dashurit tanë dhe ajo që ata po kalojnë është një makth i vërtetë.

nga Merve Reyhan Kayikçi është një studiese në Universitetin Katolik të Leuven në Belgjikë

http://www.huffingtonpost.com/entry/turkish-prisons-are-filled-with-professors-like_us_57fd2d82e4b0f1f68e049c93

Pin It