Hurma e Arabisë në Kur’anin Famëlartë dhe në traditën Profetike

  

 

Hurma e Arabisë është frut e cila është shumë e përfolur për vlerat e saj ushqyese dhe dobitë që sjell për trupin e njeriut. Hurma e Arabisë përmendet në shumë ajete në Kur’anin Famëlartë në mënyra të ndryshmë, herë si frut dhe herë si pemë dhe disa herë të tjera është përdëror në formë krahasimi. Ajetet në të cilat përmendet hurma e Arabisë janë:

-“Nëpërmjet tij (ujit) rriten të lashtat, ullinjtë, palmat, rrushi dhe fruta të llojllojshme. Këtu ka vërtet tregues (të fuqisë hyjnore) për njerëzit që kuptojnë!” (Surja Nahl, 11).

– “E në tokë, copa sipërfaqesh, të ngjitura njëra me tjetrën, kopshte të hardhisë, të mbjella (të llojllojshme) dhe hurma (bimë këto) që janë të degëzuara në shumë trupa dhe jo të degëzuara (nga një filiz) e të gjitha ujiten nga një ujë, dhe Ne shijen në ngrënie të frutave të tyre e kemi dalluar njërën prej tjetrës…” (Surja Ra’d, 4)

-“Ai është që lëshoi nga lartë shiun e me të nxori bimën e çdo sendi dhe prej bimës gjelbërim dhe prej tij (prej gjelbërimit) kokrra të dendura në kallinj. E nga hurmet, nga sythat e tyre kalaveshë të afërt (për t’i vjelë)...” (Surja En’âm, 99)

-“Ai (All-llahu) është që krijoi kopshte (bimët e të cilave) të ngritura lart (në shtylla) dhe të rrafshta (të shtrira në tokë), edhe hurmet dhe drithërat me frute (shije) të ndryshme….” (Surja En’âm, 141)

-“Në të ka pemë të llojllojta, ka edhe hurma me shporta të mbështjella.” (Surja Rrahmân, 11)

-“Aty, në ata të dy(Xhennete), ka hurma dhe shegë.” (Surja Rrahmân, 68)

-“Edhe nga frutat e hurmës dhe të rrushit nxirrni prej tyre pije (lëngje) dhe ushqim të mirë.” (Surja Nahl, 67)

-“Dhe me anën e tij Ne mundësuam për ju kopshte hurmash e rrushi, që në to keni shumë pemë dhe hani prej tyre.” (Surja Mu’minûn, 19)

-“Dhe për ata është argument toka e vdekur, të cilën Ne e ngjallim, nxjerrim prej saj drith nga i cili ata hanë.  Dhe në të Ne u kemi bërë kopshte hurmash e rrushi dhe në të u kemi dhënë burime (uji).” (Surja Jâsîn, 33-34)

-“Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me fruta të paluara njëri mbi tjetrin.” (Surja Kâf, 10)

-“Dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra. Edhe rrush e perime. Edhe ullinj e hurma. Edhe kopshte të dendura…” (Surja Abese, 27-30)

Ajete të tjera ku përmendet hurma janë: Surja Merjem, 25; Surja Isrâ, 91; Surja  Tâhâ, 71; Surja Kamer, 20; Surja Hâkka, 7; Surja Kehf, 32; Surja Shuarâ, 148.

 

Kanë thënë se i Dërguari i Allahut (s.a.s) , ndonjëherë ka ngrënë hurma me gjalpë, bukë ose vetëm hurma. (Ebu  Daudi; Tirmidhi; Ibn Maxhxhe)

Profeti (s.a.s) e kishte bërë zakon të hante hurma të freskëta për iftar dhe para faljes së namazit. Kur nuk gjente hurma të freskëta, hante hurma të thata. Por nëse nuk gjente as hurma të thata, atëherë pinte pak ujë. (Ebu Daudi; Tirmidhiu; Ahmedi)

Ka thënë  i Dërguari i Allahut (s.a.s) për hurmën e Arabisë:

Hurma është nga frutat e Xhenetit. Ajo është e dobishme kundër helmatisjes.” (Tirmidhi, Tib, 22)

-“Hani hurmë në mëngjes pa konsumuar asgjë tjetër sepse ajo zhduk parazitët e zorrëve.” (Kenzu’l- Ummâl, X, 26)

Hurma mundëson zhvillimin e trupit dhe mendjes. Është ushqyese dhe mbrojtëse kundër kancerit. Relakson mendjen dhe mundëson një qumësht gjiri të bollshëm dhe ushqyes për gjidhënëset. Sugjerohet që gratë lehona të konsumojnë hurma. Ajo gjithashtu heq dhimbjen e fytit, kollën, bronshitin dhe ankesat e të ftohurit. Është e dobishme në kurimin e sëmundjeve të kockave.

Hurma është fruti më ushqyes për trupin në mesin e frutave të tjera. Nëse konsumohet herët në mëngjes pa ngrënë mëngjesin minimizon parazitët e zorrëve ose i zhduk plotësisht.

Hurma axhve(është emri i një lloj hurme të cilën e ka mbjellur vetë Profeti Muhammed (a.s) pas mërgimit në Medine. Ka një ngjyrë të afërt me të zezën, është kokërrmadhe, shumë e bukur dhe e shijshme) shëron helmatisjen apo helmimet e rënda si ajo nga pickimi i akrepit.

Mjekësia moderne sot ka zbuluar se hurma përmban 10 elementë të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të njeriut. Krahas kësaj hurma përmban dhe sheqerin i cili, shton energjinë dhe lehtëson tretjen e ushqimit.

Hurma përmban të gjitha proteinat dhe vitaminat themelore. Për këtë arsye mjekësia moderne e quan atë si ‘ushqimin kryesor’. Sepse njeriu mund të jetojë edhe me një hurmë për shkak të përmbajtjes të të gjithë elementëve të nevojshëm për ushqyerjen e trupit të tij.

Siç e dimë doktorët i këshillojnë gratë shtatzëna në konsumimin e një lëngu me sheqer para lindjes. Qëllimi i kësaj është shtimi i energjisë së trupit të lodhur të shtatzënës dhe prodhimi i qumështit të nevojshëm për fëmijën e porsalindur. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Merjemen të hante hurma dhe të pinte ujë ditën kur lindi Hz. Isanë (a.s): “Shkunde trungun e palmës që të bien mbi ty hurma të freskëta. Ha, pi dhe qetësohu!” (Merjem, 25-26).

Burimi: Revista “Zani i Naltë”

Pin It