I drejti, i fundmi i Pejgamberëve, Hz. Muhamed (s.a.s)…

Muhamedi a.s. nuk ishte vetëm një i dërguar si shumë të dërguar të tjerë para tij. Ai ishte profeti, me të cilin Zoti i dha fund zinxhirit të profetëve. Ai ishte një njeri, me të cilin Zoti nderoi dhe gradoi njerëzimin. Nëse drejtësia do të mishërohej dhe merrte formë, ajo do të merrte formën dhe pamjen e Muhamedit a.s. Nëse dëlirësia e shpirtit do të pikasej diku, padyshim do të pikasej në shpirtin e tij. Nëse virtyti do të pikturohej, nuk do të kishte tablo më optimale se ajo e Muhamedit a.s. Po ai ishte njeri, lëvizte në tregje dhe ushqehej si gjithë njerëzit. Ajo që e dallonte nga të tjerët, ishte pikërisht nuri i profecisë, me të cilin rrezatonte. Pishtari i mesazhit hyjnor i ndriçonte udhën atij dhe atyre që i besonin. Fjalët e tij ishin të vërteta, vepra të drejta, udha e sigurt. Mëshira ishte bashkë me të, kudo që të ishte. Bujaria kishte bujtinë shpirtin e tij. Ai i besonte lehtësimit, feja që përçoi ishte e lehtë, Kur’ani që iu shpall ishte i lehtë, tradita e tij ishte e lehtë, urdhrat dhe ndalesat të lehta. Teksa lexon biografinë e kolosëve të njerëzimit përkrah biografisë së Muhamedit a.s., të gjithë të duken të vegjël përballë tij. Kur lexon lajmet e reformatorëve përkrah lajmeve dhe jetës së tij, të gjithë shndërrohen në nxënës të Muhamedit a.s. Nëse mahnitesh me gjenitë, sapo lexon traditën profetike, të gjithë të tjerët i sheh si studentë të universitetit të Muhamedit a.s. Atë e kanë lavdëruar armiqtë përpara miqve dhe i largëti para të afërtit.
“Se ti (o Muhamed) je me virtyte madhore.” (Kur’an, Kalem: 4)

Pin It