Importi i mbetjeve, Rama takim me krerët e bashkive dhe ricikluesit

plehra-web

Kryeministri i vendit Edi Rama, krerët e bashkive të vendit dhe përfaqësues të industrisë ricikluese zhvilluan të premten paradite një takim kushtuar ligjit të importit të mbetjeve. Në qendër të bisedës ishin sensibiliteti dhe administrimi i çështjes.

Kryeministri Rama theksoi edhe njëherë se pjesë e importit do të jenë vetëm mbetjet e riciklueshme, të cilat do i japin frymëmarrje industrisë ricikluese. Ai tha se menaxhimi i duhur i situatës bëhet edhe më i domosdoshëm për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Rama tha se sensibiliteti i shoqërisë është plotësisht i justifikuar, nëse marrim parasysh situatën e ndotjes nga plehrat në vend.

“Sigurisht ky është një detaj edhe më kompleks, sepse kërkon me patjetër rritjen e ndjeshmërisë dhe përfshirjen e qytetarëve. E kam fjalën për betejën për të pastruar më tej Shqipërinë, duke siguruar një marrëdhënie të re me mbetjet, që do të thotë një marrëdhënie e re me mjedisin. Miratuam para pak ditësh një ligj, i cili hapi një debat të madh, të cilin unë e konsideroj një mundësi të madhe për të nisur këtë punë dhe për ta çuar në një nivel të ri, për shkak edhe të këtij sensibiliteti që e ushqen debatin.

Një sensibilitet tërësisht i justifikuar, por kini parasysh çka ndodhur në vendin tonë në vitet e tranzicionit, me plehrat, mbetjet, administrimin e tyre, lumenjtë, plazhet, zonat turistike e me radhë.

Së pari duhet të jetë e qartë për të gjithë që ky ligj harmonizon legjislacionin tonë me direktivën e BE-së për menaxhimin e mbetjeve. Është një ligj për të cilin jemi të vetëdijshëm që jemi jo në përputhje me direktivën e BE-së, që nuk i ka në asnjë vend tjetër të BE, ose në zonën që synon të bëhet pjesë e BE. Ligji është më i kufizuar sesa është në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje”, deklaroi Rama.

Pin It