Interes i lartë nga qytetarët për rrugëtimin muzeal “Urtësi e Pashuar”

Rrugëtimi muzeal më i veçantë në kryeqytet “Urtësi e Pashuar”, vetëm këtë fundjavë u vizitua nga katërmijë vizitorë.

Për shkak të interesit të treguar nga ana e qytetarëve, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka vendosur shtyrjen e afatit të mbylljes së ekspozitës dhe një javë tjetër.

”Urtësi e pashuar”, i cili po mbretëron ende në Vilën 31 është një udhëtim në kohë që nga shekulli i VI e deri në shekullin IXX, një rrugëtim përmes vlerave kulturore prezanton historinë fetare dhe kulturën shqiptare përmes kodikëve të 4 besimeve fetare.

E veçanta e këtij rrugëtim janë objektet e prezantuara, që janë pasuri kombëtare me vlera të mëdha, për të cilat jemi krenarë për rrënjët tona . Në ekspozitë mund të shohësh nga afër objekte si Kurani më i vjetër në vendin tonë që daton në shek XV, kodiku i Shkodrës, e një sërë artefaktesh unike si Kodikët e Purpurt të Beratit.

Këto objekte janë të ekspozuara në mënyrë mjaft të veçantë të rrethuara nga një sfond i zi dhe ku drita fokusohet vetëm në objektet e rralla në të cilat gjenden dhe shkrimet për të përcaktuar vlerën e tyre por dhe për të informuar vizitorët. Një prezantim që të çon larg në kohë dhe të jep një emocion ndryshe ./ATA/

Pin It