Ish të përndjekurit politikë , nis dhënia e këstit të pestë të dëmshpërblimeve

ministria-e-financave

Nis dhënia e këstit të pestë të dëmshpërblimeve për ish të përndjekurit politikë. Sipas njoftimit të bërë dje në bashkëpunim me Thesarin, është bërë gati dhe dërguar për ekzekutim në të gjitha bankat tregtare të nivelit të dytë, lista e personave që përfitojnë dëmshpërblim. Në këtë listë janë 68 persona, që kanë përfituar më shumë se 30 milionë lekë. Shpërndarja e dëmshpërblimit të mësipërm bëhet në mënyrë proporcionale, në tetë këste të barabarta, deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit.

Kryerja e plotë e pagesave për këstin e pestë dhe nisja e këstit të gjashtë është prioritet i këtij viti, deklaroi dje Alma Delija, drejtore e Drejtorisë së Pagesave dhe Dëmshpërblimeve në Ministrinë e Financave.

Ministria e Financave ka detyrim ligjor publikimin në faqen e saj zyrtare listën e dosjeve që janë të gatshme për pagesë të ish të dënuarve politikë, të kategorisë parësore që përfitojnë këstet e radhës. Të gjithë të interesuarit mund ta gjejnë listën e nxjerrë nga sistemi i pagesave të ish të dënuarve politikë që kanë përfituar këstet e radhës deri në këstin e pestë, vetëm duke klikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. Me ndryshimet e bëra në ligj, është bërë ndarja në dy kategori të ish të përndjekurve politikë: në atë parësore dhe joparësore.

Sipas kësaj ndarjeje, për kategorinë e parë me prioritet përfshihen “gra, ish të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës”. Në kategorinë e dytë përfshihen “persona ish të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë”. Për kategorinë e tretë me prioritet përfshihen “persona ish të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda”. Në kategorinë e katërt janë “persona ish të dënuar që janë gjallë, të cilët, pavarësisht moshës në momentin e pagesës, kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç”. Kategoria e pestë me prioritet është “për persona ish të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç”. Ndërsa në kategorinë e gjashtë me prioritet renditen “persona ish të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur moshën 75 vjeç”. Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë nga regjimi komunist është ndarë në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70 për qind për të gjitha kategoritë e subjekteve përfituese parësore dhe 30 për qind për trashëgimtarët e ish të dënuarve. Nga viti 2007 deri 2013 janë paguar ata ish të dënuar, të cilët jetojnë, si dhe trashëgimtarët për këstin e tyre të parë dhe një pjesë e kësteve të dyta me një shumë totale prej 9.39 miliardë lekësh dhe me një përqindje realizimi mesatarisht 84.83%, njofton Delija. Gjatë vitit 2014, janë paguar gjithsej për këstin e parë rreth 1374 përfitues me një shumë totale prej 275 milionë lekësh. Për shpërndarjen e kësteve për kategorinë parësore, sipas ministrisë, të gjithë përfituesit duhet të sjellin sa më shpejt certifikatë personale të muajit të fundit dhe vërtetimin e numrit të llogarisë bankare, pasi në mungesë qoftë të njërit prej këtyre dokumenteve ata nuk mund të përfitojnë. “Një nga objektivat e Drejtorisë së Pagesave dhe Dëmshpërblimit, për vitin 2016, është përfundimi i plotë i shpërndarjes së këstit të pestë dhe fillimin e likuidimit të këstit të gjashtë për kategorinë parësore, si dhe vazhdimin me përpikëri dhe seriozitet të shpërndarjes së fondit sipas numrit rendor të kësteve pasardhëse për kategorinë joparësore”,- deklaroi Delija.

Pin It