Jini të kujdesshëm ndaj akulloreve të ndenjura


 

Me fillimin e sezonit veror, natyrshëm na shtohet dëshira për konsum të pijeve freskuese dhe akulloreve. Akullorja përtej shijes së mrekullueshme mbetet një prej zgjidhjeve më të mira në këto ditë të nxehta. Mirëpo nuk janë të pakta rastet kur ndodhin helmime nga akullorja. Helmimi është rreziku kryesor që vjen nga një akullore e paketuar keq dhe e ndenjur, ose e sezonit të shkuar. Duhet të dini që data e skadencës nuk duhet të jetë informacioni i vetëm që mund t’ju mjaftojë për të vendosur nëse një akullore është e sigurt për t’u ngrënë apo jo. Duhet të shikoni më kujdes nëse akullorja ka një paketim të hapur, të fryrë ose nëse është ruajtur në kushte optimale. Akulloret e ndenjur kanë tendencën të jenë objektiv më i lehtë i baktereve të dëmshme. Bakteret lulëzojnë në ushqime të pasura me proteina siç janë vezët, mishi, peshku dhe produktet e bulmetit. Ngrirja e ngadalëson rritjen e baktereve, por jo domosdoshmërish i vret ato. Rreziku qëndron nëse ju i keni lënë akulloret të hapura në frigorifer. Sapo ta nxirrni nga frigoriferi, bakteret do të lulëzojnë menjëherë duke shtuar rrezikun e helmimit. Kur të blini një akullore të paketuar, sigurohuni që akullorja të jetë tërësisht e ngrirë dhe jo e qullët. Sigurohuni që frigoriferi gjithashtu të jetë i ngrirë në mënyrë solide. Akulloret e pahapura ose të ruajtura në mënyrë perfekte në minus 17 gradë celsius mund të jenë të sigurta për konsum deri në 2 muaj. Nëse planifikoni ta mbani më gjatë se aq atëherë mbështilleni me karton ose qese plastike me vakum për të ruajtur cilësinë e akullores.

Si të dalloni një akullore jo cilësore

Nëse dëshironi të mësoni se si dallohet një akullore që nuk është cilësore, duhet ta shikoni me kujdes. Akulloret që janë të prishura e që jo domosdoshmërish kanë një shije të keqe, kanë kristale akulli të formuar në majë të saj dhe në bishtin e kaushit të paketuar.

 Akullorja më e mirë bëhet në shtëpi

Sidoqoftë, akulloret janë një mënyrë e mirë për të marrë yndyra të shëndetshme, kalcium, enzima, vitamina dhe minerale, gjithnjë nëse përdor qumësht të vërtetë, vezë të vërteta dhe shurup të shëndetshëm. Recetat janë të ndryshme dhe variojnë nga shija por kryesisht një recetë e thjeshtë kërkon qumësht, vezë, sheqer, reçel, niseshte, vanilje, arra ose bajame.

Pin It