Gjendet dokumenti që provon krijimin e bandës së parë muzikore shqiptare në 1878

Në Arkivin e Shtetit është gjendur dokumenti që provon krijimin e bandës së parë muzikore shqiptare në Shkodër, në vitin 1878, bën të ditur akademiku Vasil Tole.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Tole, shkruan se “e dhëna e çmuar jepet në korrespodencën e vitit 1891, në gjuhën italiane, mes Arqipeshkvisë së Shkodrës, Veliut të Shkodrës dhe konsullit austriak në Shkodër, ku bëhet fjalë mbi ndalimin e aktivitetit të bandës muzikore kishtare nga ana e Veliut pas kërkesës insistuese së komisionit të bandës për të lejuar aktivitetin e saj”.

“Dokumenti gjendet në Arkivin e Shtetit (D.14. F.132, fq 1-6, D.31, f.20, viti 1891”, shton Tole.

Më poshtë Tole boton një pjesë të tekstit të kësaj kërkese :… banda jonë duke qenë një vazhdimësi e asaj, tashmë të njohur nga Madhëria e tij, Perandori Sulltan, nëpërmjet urdhërit që na është akorduar nëpërmjet Shkëlqesisë së Tij Hysen Pasha, guvernatori i përgjithshëm në datën 13/25 shtator 1878. Dhe meqenëse Banda është një institucion që nuk ka asnjë qëllim apo ngjyrë politike apo fetare, përveç asaj që të promovojë progresin dhe dekorin e vendit, nuk dyshojmë që dhe Shkëlqesia e tij, guvernatori aktual, meqë nevojitet kaq shumë për zhvillimin intelektual dhe moral të qytetit tonë do të na japë lejen që të vazhdojmë veprimtarinë e lejuar nga Madhëria e tij, Perandori Sulltan.”

Në vitin 1878 Maestro Giovani Canale një italian nga Napoli, krijoi “Bandën e parë muzikore” në 1878, në periudhën e sundimit otoman. Krijimi i kësaj bande shënoi edhe fillimin e një “revolucioni” artistik jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë, pasi janë hapat e para kur kulturalisht Shqipëria e pushtuar po tentonte të ndryshonte gjeopolitikën kulturore, për ti’u bashkuar vendeve të përparuara perëndimore nga ku kanë lindur dhe janë zhvilluar këto instrumenta. Krijimi i kësaj bande ka jo vetëm një rëndësi artistiko-kulturore, por edhe politike dhe gjeopolotike./ATA/

Pin It