“Ju porosis që ndaj grave të jeni të kujdesshëm…”

Me ardhjen e Islamit, gjendja e gruas ndryshoi plotësisht. Islami, si fe hyjnore, ndriçoi rrjedhën e jetës së çdo individit në përgjithësi e të femrës, në veçanti. Ai i dha femrës një pozitë të lartë shoqërore, të atillë që nuk e kishte patur kurrë më parë. Krahas të drejtave civile dhe shoqërore që gëzon gruaja në Islam, feja Islame e ve gruan para detyrave dhe përgjegjësive të mëdha, duke e obliguar të merret me dituri, të mësojë Kur’anin dhe traditën profetike, të përvetësojë shkencat, të ngrejë nivelin e saj social dhe kulturor, në mënyrë që të jetë e aftë të ruajë e të mbajë lart personalitetin e saj dhe të marrë pjesë aktive, në ndërtimin e shoqërisë. Përveç kësaj, feja Islame kundërshtoi diskriminimin gjinor. Ajo i dha pozitë të barabartë femrës dhe mashkullit. Pejgamberi a.s thotë: “Kush ka tri vajza apo tri motra, apo dy vajza apo dy motra dhe me to sillet mirë dhe kujdeset pa hile, e ka merituar xhennetin.“ [Buhariu]

Duke folur për domosdoshmërinë e sjelljes së mirë e të butë ndaj bashkëshortes, Profeti Muhammed (a.s) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që sillet mirë me bashkëshorten e tij, e unë jam më i miri prej jush pasi, sillem mirë me familjen time”.  Sjellja e mirë ndaj bashkëshortes nuk është vetëm tregues i vlerave pozitive të burrit, ajo është njëkohësisht edhe tregues i karakterit të mirë e fisnik të tij. Duke folur për këtë Muhamedi (a.s) ka thënë: “Besimtarët më të mirë janë ata që kanë karakter të mirë dhe më të mirët nga ju, janë ata që, janë të mirë me gratë e tyre”.

Duke i këshilluar burrat se si të sillen me bashkëshortet e tyre, Profeti thotë ndër të tjera: “Ju porosis që ndaj grave të jeni të kujdesshëm, sepse gruaja është krijuar nga brinja, maja e së cilës është më e lakuar. Po tentove ta drejtosh do të thyhet, por po nuk e drejtove mbetet e lakuar, prandaj keni kujdes me gratë”. Kushdo që e lexon me vëmendje këtë thënie e kupton qartë se Profeti urdhëron burrat që të jenë të kujdesshëm e të vëmendshëm ndaj ndjenjave dhe emocioneve të grave të tyre, me qëllim që të mos i lëndojnë e të mos ua thyejnë zemrën.

Pin It