15 Nëntori është dita e 319 e kalendarit gregorian (dita e 320 në vitin e brishtë) – kështu që deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 46 ditë.
1859 – Në Athinë ringjallen Lojrat Olimpike moderne pas rreth 1500 vjetësh. Fillimisht ato u quajtën Lojrat Olimpike të Zhapës, pasi u sponsorizuan e financuan nga Vangjel Zhapa, filantropist i lindur në vitin 1800 në Labovën e sipërme, fshat afër Tepelenës, (sot në qarkun i Gjirokastrës).
1939 –Presidenti Franklin D. Roosevelt vendos gurëthemelin e parë të përmendores Thomas Jefferson ne kryeqytetin Uashington. Thomas Jefferson, është një nga etërit e SHBA-se, hartues i kushtetutës dhe i treti presidenti i Shteteve të Bashkuara. Memoriali Jefferson, një strukturë e stilit neoklasik, u projektua nga arkitekti John Russell Pope. Ndërtimi i memorialit përfundoi në vitin 1943. Ndërsa Shtatorja prej bronzi e Jeffersonit u shtua në vitin 1947. Në vitin 2007 Memoriali i Jeffersonit u rendit i katërti në listën e Arkitekturës më të preferuar nga Instituti Amerikan i Arkitektëve.
1943 – Holokausti: Udhëheqësi i shërbimit sekret gjerman SS, Heinrich Himmler urdhëron që ciganët (romët) të trajtohen njësoj si hebrenjtë dhe të vendosen në kampet e përqendrimit” .
1944 – Vdiq në moshën 80-vjeçare britanikja Mary Edith Durham – artiste, natyraliste, udhëtare, shkrimtare – e cia u bë e famshme për studimet e saj antropologjike të jetës shqiptare në fillim të shekullit të 20-të. Edith Durham ishte më me e madhja e tetë fëmijëve. Ajo pati një rini tepër të lodhshme; kur i ati i vdiq, Edithit iu desh të kujdesej për gjithë familjen, ndërsa merrej me vetë-arsimim dhe zhvillonte talentin si piktore – Kur ishte 25 vjeç, punimet e saj u bënë pjesë e muzeut të Historisë Natyrore në Kembrixh.
Mary Edith Durham udhëtoi gjerësisht në Ballkan, duke u përqëndruar veçanërisht në Shqipëri, atëherë një nga zonat më të panjohura dhe më të pazhvilluara të Evropës. Durham punoi për shumë organizata ndihmash, skicoi, pikturoi e shkroi, duke mbledhur artin dhe folklorin shqiptar. Puna e saj ishte e një rëndësie të mirëfilltë antropologjike dhe për këtë arsye, Edith Durham u pranua anëtare e Institutit Antropologjik Mbretëror Britanik. Por ishin edhe shkrimet e saj që i dhanë asaj famën e veçantë. Ajo shkroi shtatë libra mbi çështjet e Ballkanit, nga të cilët “High Albania” (1909 ) është më i njohuri, dhe që ende vazhdon të konsiderohet nga të huajt si libër-udhëzues për të njohur dhe kuptuar zakonet e malësisë së veriut.
Me punën e saj, Mary Edith Durham erdhi duke u njëjtësuar gjithnjë e më shumë me çështjen shqiptare; ajo ishte përkrahëse e idesë së bashkimit të popullit shqiptar. Por Durham pati edhe kritikë të shumtë. Për shembull, ajo sulmohej vazhdimisht nga përkrahësit e shtetit jugosllav, të cilët mbështesnin përfshirjen e Kosovës në Serbi. Kjo e bëri Durhamin gjithnjë e më anti – serbe, duke dalë me shprehjen “paraziti serb” i cili synon jo për të krijuar një Jugosllavi, por për të përmbushur synimet për një Serbi të Madhe …. jo për çirimin e popujve por për t’i bërë ata edhe më të shtypur se më parë”.
Disa intelektualë britanikë pro-serbë i kritikuan ashpër pikëpamjet e saj. Për shembull, Rebecca West (me një përvojë vetëm disa mujore udhëtimi në Jugosllavi shkroi librin e njohur pro-serb “Black Falkon…”) e quante Durhamin “një udhëtare që i përshkruan shqiptarët masakrues të masakruar”. Ndërsa historiani i njohur RW Seton-Watson komentonte se “duke kritikuar vazhdimisht mendësinë ballkanike, ajo u bë pjesë e kësaj mendësie”.
Nga ana e tyre, shqiptarët e vlerësojnë lart Edith Durhamin, duke i dhënë asaj emrin “Mbretëresha e Malësorëve”. Asdreni i përkushoi asaj një vëllim poetik, ndërsa, kur Durham vdiq më 1944, mbreti Zog në mërgim u shpreh: “Ajo na dha zemrën e saj dhe u bë zë në veshin e malësorëve tanë”. Në vitet sundimit komunist (veçanërisht gjatë marrëdhënieve shumë të ngushta shqiptaro – jugosllave), emri i M. Edith Durhamit u la në heshtje, u përbuz, u ndalua. Në vitin 2004, presidenti Alfred Moisiu e cilësoi Edith Durhamin si një prej personaliteteve më të shquara të botës shqiptare gjatë shekullit XX.
2009 – Populli i Kosovës votoi në zgjedhjet lokale, zgjedhjet e para që nga koha kur vendi shpalli pavarësinë nga Serbia.
Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.
Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga kjo botë Servantesi, Shekspiri dhe Garcilaso de la Vega, i mbiquajtur Inca. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor.