Kalendari historik, 16 nëntor

16 Nëntori është dita e 320 e kalendarit gregorian (dita e 321-të në vitin e brishtë) – kështu që deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 45 ditë.

 

534 – Botohet Kodi i Justinianit, një koleksion veprash bazë të jurisprudencës, i hartuar me urdhër të perandorit romak lindor Justiniani i parë. Kodeksi ose Kodi Civil është një përmbledhje e përzgjedhjur e akteve ligjore të perandorisë romake. Kodi është pjesa e parë e Corpus Juris ose Trupit të Ligjit Civil, ku përfshihen edhe “Pandectae” ose pjesë kryesisht të shkurtra nga shkrimet e juristëve romakë; dhe “Institute” që përmban elemente të rëndësishme konceptuale ligjore. Të tre Librat e Corpus Juris  përbënin burimin e vetëm të referencave ligjore për gjykimin e çështjeve.  Gjatë periudhës së tij si perandor, Justiniani miratoi edhe ligje të reja të cilat u përmblodhën në një libër të katërt të Jurisprudencës,  të quajtur Novellae (të reja).

1849 – Një gjykatë ruse dënon Fjodor Dostojevski me vdekje për veprimtari anti-qeveritare si pjesmarrës në një grup intelektualësh radikalë; dënimi i tij u kthye më pas në punë të rëndë të detyruar. Kritikët thonë se kjo periudhë ndikoi thellësisht në formimin e Dostojevksit, duke e bërë atë një shkrimtar thellësisht analitik shpirtëror, filozof e psikolog. Librat e Dostojevskit janë përkthyer në më shumë se 170 gjuhë. Ai ka ndikuar një numër shkrimtarësh e filozofësh, përfshi Anton Chekhov, Ernest Hemingway, Friedrich Nietzsche dhe Jean-Paul Sartre. Së bashku me Tolstoin, Dostojevski është konsideruar shpesh si një nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me ndikim të Epokës së Artë të letërsisë ruse.

1945 – Ndërsa lufta sapo kishte mbaruar, përfaqësues nga 44 shtete u mblodhën në Londër për për të “ndërtuar paqe në mendjen e njerëzve”, për të krijuar një organizatë që do të mishëronte një kulturë të mirëfilltë paqeje, mbështetur në solidaritetin intelektual dhe moral të njerëzimit për të parandaluar shpërthimin e një lufte tjetër botërore. Nga kjo konferencë lindi UNESCO, akronim në anglisht për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Kushtetuta e UNESCO-s, nënshkruar më 16 nëntor 1945, hyri në fuqi një vit më vonë, pas ratifikimit nga njëzet vende: Australia, Brazili, Kanadaja , Kina, Çekosllovakia, Danimarka, Republika Dominikane, Egjipti, Franca, Greqia, India, Libani, Meksika , Zelanda e Re , Norvegjia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut , Turqia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Sesioni i parë i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s u mbajt në Paris nga 19 nëntor-10 dhjetor 1946 me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 30 vende me të drejtë vote.

 

Pin It