Kalendari historik: 18 prill

1590 – Ahmet i parë –  sulltani i 14-të i perandorisë osmane – jep urdhër për ndërtimin e një xhamije në Stamboll. Xhamia Ahmet është një xhami historike dhe njihet gjerësisht si Xhamia Blu për pllakat blu që zbukurojnë muret e brendshme të saj. Sulltani ishte shtyrë jo vetëm nga dëshira për të lënë pas një xhami perandorake me emrin e tij, por edhe për të ndërtuar një monument që do të rivalizonte Hagia Sofian e ndërtuar nga të krishterët. Aq e madhe ishte ambicia e sulltanit sa nuk lejonte asnjë gabim; madje i preu kokën arkitektit të parë, dhe zgjodhi më pas një tjetër, Mehmet agën, i cili kishte qenë nxënës i arkitekt Sinanit, i njohur si gjeniu shqiptar i arkitekturës. Xhamia e Ahmetit përfundoi pas 6 vjetësh, dhe sot e kësaj dite mbetet një nga shembujt më të mirë të arkitekturës klasike osmane. Mes zbukurimeve të brendshme të Xhamisë Blu përfshihen edhe vargje nga Kurani, të shkruara nga Seid Gubari, i njohur si kaligrafisti më i mirë i asaj periudhe.

1902 – Quetzaltenango, qyteti i dytë më i madh në Guatemala, shkatërrohet nga tërmeti.

1902 – Danimarka bëhet vendi i parë që miraton përdorimin e gjurmëve të gishtrinjve për të identifikuar kriminelët.

1924 – Simon & Schuster publikojnë fjalëkryqin e parë.

1930 – Për herë të parë në Radio BBC njoftohet se nuk ka lajme.

1958 – Një gjykatë federale e Shtetet e Bashkuara vendos se poeti Ezra Pound duhet të dalë nga spitali i çmendinës. ku ishte mbajtur për 12 vjet. Por a kishte qenë poeti i çmendur? Një historian dhe një psikiatër, në mënyrë të pavarur, sjellin një pamje të re të rrethanave që çuan në izolimin e Ezra Poundit në spital dhe mos nxjerrjen në gjyq për tradhti. Pound (1885 – 1972) ishte poeti amerikan që transmetoi në radio propagandë për Italinë fashiste gjatë luftës dhe më pas u mbajt në rrethana të rehatshme në Spitalin e çmendinës St Elizabeth në Uashington 1946-1958; me sa duket për shkak se ishte i çmendur – në të vërtetë ishte mjaft racional për t’u gjykuar për tradhti, sipas Stanley Kutler, Profesor i Institucioneve amerikane në Universitetin e Wisconsiit. Profesor Kutler shkruan se Pound, ishte fashist amerikan, tradhtar dhe antisemit – i cili me ndihmën e një inspektori spitali në St Elizabeth, mashtroi zyrtarët e qeverisë që kërkonin ta ndiqnin penalisht për ndihmën dhënë armikut në kohën e luftës. Por vetë Ezra ç’do të thoshte po të ishte gjallë? Kjo nuk dihet, por në një rast diku ka shkruar: “Askush nuk mund të kuptojë diçka nëse nuk ka parë dhe jetuar të paktën një pjesë të saj.”

1968 – Ura e Londrës iu shit një amerikani, i cili e çmontoi, i transportoi copat në SHBA, dhe e rindërtoi urën në Arizona.

1969 – Melina Merkuri krijon Fondin e ndihmës greke, ndërsa Greqia ndodhej nën diktaturë. Emri i saj ishte Maria Amalia Merkuri, lindur më 1920 në Athinë, në familje arvanitase, ishte aktore, këngëtare dhe politikane; fituese në Festivalin e Filmit në Kanë; kandidate për Çmimin Oskar; marrëse e çmimit Tony për muzikë dhe 3 herë Golden Globe në SHBA; aktiviste politike gjatë juntës ushtarake 1967-1974; anëtare e Parlamentit në vitin 1977 dhe ministre e Kulturës më 1981, e para ministre grua në Greqi.

1978 – Senati voton për t’i kthyer Panamasë Kanalin më 31 Dhjetor 1999. Kanali i Panamasë, që lidh dy oqeanet, Atlantik e Paqësor, ishte një ide gjermane, filloi nga francezët dhe përfundoi nga amerikanët, u përurura nga presidenti Woodrow Wilson më 1914.

1992 –  Vdiq në Moskë, në moshën 80 vjeçare, albanologia e njohur ruse Agnija Desnickaja. Ajo u shqua në fushën e studimeve krahasuese të gjuhëve indo-evropiane. Prej viteve 1950, kjo shkencëtare iu përkushtua gjuhëve ballkanike, veçanërisht shqipes; që, sipas Robert Elsiet, e bëjnë Desnickajën themeluesen e studimeve albanologjike në Rusi. Fatkeqësisht, lidhjet e saj me studiuesit në Shqipëri u ndërprenë më 1961, kushtëzuar nga prishja e marrëdhënieve sovjeto – shqiptare, ndërsa puna e saj mbi shqipen u shpërfill plotësisht në Shqipëri, për shkaqe politike, gjatë gjithë viteve 1970 – 1980. Kjo ishte periudha kur librat e Agnija Desnickajas panë dritën e botimit në Prishtinë; p.sh., “Gjuha shqipe dhe dialektet e saj” (1972) apo “Letërsia shqipe dhe Gjuha shqipe” (1987) FESH.

Festa dhe përvjetore
Dita e trashëgimisë kulturore në Kosovë

Pin It