21 Nëntori është dita e 325-të e kalendarit gregorian (dita e 326-të në vitin e brishtë) – kështu që deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 40 ditë.
1694 – Lindi François-Marie Arouet (v.1778), emri i penës, Volter; përfaqësues kryesor i Iluminizmit, shkrimtar, historian, filozof jashtë filozofisë konvencionale, i njohur për satirën, kritikën ndaj fesë si institucion, përkrahës i tolerancës fetare dhe për ndarjen e kishës nga shteti, shkrimtar me dhunti të shumta, duke prodhuar vepra në pothuajse çdo formë letrare: dramë, poezi, roman, ese, vepra historike e shkencore. Ai shkroi më shumë se 20 mijë letra dhe mbi 2 mijë libra dhe pamflete. Volteri ishte mbrojtës i hapur I lirisë së shprehjes, përkundër pasojave nga ligjet dhe censura e rreptë e kohës. Për shkrimet e tij satirike, ai shpesh u dënua me burgim ose mërgim. Volteri ishte kritik i ashpër i traditës fetare, që pengon lirinë individuale të besimit – por ai nuk thoshte se ishte kundër idesë së një qenie supreme. Volteri arsyeton se ekzistenca e Zotit nuk është çështje besimi, por arsyeje, dhe se të gjithë njerëzit janë vëllezër, ndërsa janë krijesa të njëjta nga i njëjti Zot. Sa për skllavërinë, Volteri e kritikoi ashpër, por në anën tjetër, u përpoq të shpjegojë se racat e ndryshme kishin origjina të veçanta prandaj nuk mund të ishin të njëjta ose të barabarta. Volteri shpesh është akuzuar për anti-semitizëm edhe pse shumica e kritikave të tij në fakt i drejtohen Biblës, dhe jo Judaizmit në veçanti. Volteri gjithashtu shkroi drama, prozë dhe poezi. Kandidi është puna e tij më e famshme në prozë, ku ai kritikon filozofinë e Gottfried Wilhelm Leibnizit mbi optimizmin metafizik nëpërmjet naivitetit të Kandidit, personazhi kryesor, i cili pas përjetimit të një fatkeqësie, refuzon të jetë optimist pa patur arsye për të qenë I tillë. Duke shkruar për historinë, Volteri sfidoi konceptin mbizotërues të kohës së tij, se historiografia duhej të merrej me ngjarjet e mëdha politike, ushtarake dhe diplomatike; Volteri thotë se theksi duhet vënë në kulturë, art, shkencë, zakone – dhe u përpoq për të shkruar një histori të botës mbi këto baza.
1877 – Amerikani Thomas Edison shpall shpikjen e gramafonit. Ndërkohë që të tjerë kishin prodhuar pajisje që mund të regjistroni tingujt, gramafoni Edison ishte i pari që i riprodhonte ato. Gramafoni i tij regjistronte fillimisht tingulljt mbi një cilindër të mbështjellë me fletë varak, ku një majë gjilpëre krijonte vija të thella në varësi të fuqisë së zërit, dhe pastaj duke kaluar nëpër të njëjtat vija riprodhonte tingulljt origjinalë.
2002 – NATO fton Bullgarinë , Estoninë, Letoninë, Lituaninë , Rumaninë , Sllovakinë dhe Slloveninë që të bëhen anëtarë të aleancës.
1999 – Vdes Marie Kraja, soliste shqiptare. Marie Kraja lindi më 24 shtator 1911 dhe vdiq në Tiranë më 21 nëntor 1999.
Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri. Punon si mësuese muzike në Institutin Nëna Mbretëreshë. Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithcka që ndodhi në muzikën shqiptare. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj. Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar.
Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Është “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.