Kalendari historik: 21 qershor

21 Qershori është dita e 172-të e vitit, deri në fund të tij janë edhe 193 ditë.

Ngjarje

1749 – Themelohet qyteti Halifax, Nova Scotia, Kanada. Gjatë Revolucionit Amerikan, Halifax u bë pikë nisje e shumë sulmeve britanike drejt zonave të kontrolluara nga rebelët në trembëdhjetë kolonitë amerikane. Pas luftës, dhjetëra mijëra përkrahës të britanikëve ikën nga ish-kolonitë amerikane, dhe u strehuan në Halifax – shumë nga pasardhësit e tyre banojnë atje sot.

1788 – Kushtetuta amerikane hyri në fuqi kur New Hampshire u bë shteti i nëntë që e ratifikoi.

1824 – Lufta greke e Pavarësisë: shqiptari Mehmet Aliu i Egjiptit dërgon djalin e tij Ibrahim pashën në ndihmë të osmanëve; ai merr Psaran në Egje, pastaj, niset drejt maniotëve, banorë në pjesën jugore të Peloponezit; ata ishin të parët që i kishin shpallur luftë Perandorisë Osmane, duke i paraprirë pjesës tjetër të Greqisë. Forcat greke arritën një varg fitoresh. Por mosmarrëveshjet shpërthyen mes udhëheqësve dhe anarkia pasoi. Osmanët e shfrytëzuan këtë rast. Trupat e Ibrahim pashës u përpoqën të hynin në Mani më 21 qershor 1826, por u detyruan të ndaleshin para fortifikimeve, maniotët banonin në kulla si pasojë e zakonit të gjakmarrjes, dhe çdo shtëpi ishte kala. Beteja u përqëndrua në fshatin Vergas. Pavarësisht artilerisë egjiptiane, maniotët arritën t’i mbajnë jashtë osmanët. Kur egjiptasit dëgjuan se arvanitasi Theodor Kolokotroni me forcat e tij ishte nisur në ndihmë të Manit, vetëm atëhere Ibrahim pasha u tërhoq; një ofensivë tjetër ai ndërmorri në gusht, por pa sukses – Kjo ishte hera e fundit që Mani u sulmua gjatë Luftës për Pavarësi, ndërsa Greqia u çlirua më 1828.

1905 – Lindi Jean-Paul Sartre, filozof francez dhe autor, një nga figurat kryesore të filozofisë së ekzistencializmit, dhe filozofisë në përgjithësi, përfshi atë marksiste të shekullit XX. Sartre ndikoi edhe në sociologji, kritikë, studime letrare, dhe vazhdon të ndikojë. Ai mbeti i angazhuar deri në fund të jetës së tij (v. 1980). Në verë të vitit 1968 gjatë protestave në Paris Satrtre u arrestua për mosbindje civile. Presidenti Charles de Gaulle ndërhyri dhe e liroi; “Ju nuk arrestoni Volterin”, tha ai.

1905 – Humor anglez; shfaqet për here të parë drama ‘Major Barbara’. Pak para hapjes, autori George Bernard Shaw i dërgon këtë telegram Winston Churchillit, duke i ofruar bileta.
Shaw: “Po ju dërgoj dy bileta për natën e parë të shfaqjes së dramës time të re; sillni një mik…nëse keni një të tillë.”
Churchill: “Ndoshta nuk mund të marrë pjesë natën e parë; do të marrë pjesë në të dytë…nëse ka të tillë.”
Në vitin 1947, Fan Noli botoi librin ‘Beethoven and French Revolution’ dhe i dërgoi nje kopje kritikut George Berndard Shaw – ky iu përgjigj me shaka e kompliment: “Ngatërruat profesionin, kur u bëtë prift…” Shaw, irlandez, fliste nga përvoja; ai kishte qenë bashkë-themelues i Shkollës Ekonomike të Londrës më 1895, para se të bëhej gazetar, shkrimtar, kritik muzikor e letrar, dramaturg, eseist.

1920 – Trupat franceze largohen nga Korça duke e lënë administratën e tyre të ‘Republikës Autonome’ në duart e një komiteti shqiptar. Trupat shqiptare tashmë kishin siguruar territorin e Shqipërisë deri në kufirin e 1913-s me Greqinë. Korça kishte qenë nën kontrollin francez (1916-1920). Gjatë kësaj kohe 14 përfaqësuesit e Korçës dhe komandanti i garnizonit francez Descoins nënshkruan një protokoll që shpalli Republikën shqiptare të Korçës nën mbrojtjen ushtarake të Francës dhe me Themistokli Gërmenjin si president apo prefekt. Në fund të vitit 1917, Gërmenji u akuzua për bashkëpunim me Fuqitë Qendrore (Gjermani, Austro-Hungari, Turqi, Bullgari), u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze dhe u ekzekutua në Selanik. Më vonë u bë e qartë se anëtarët e gjykatës ishin keq-informuar nga agjentë grekë që dëshironin mënjanimin e Germenjit nga skena – ndërkohë që Athina pretendonte Korçën.

1954 – Shoqata amerikane kundër Kancerit raportoi për një numër të konsiderueshëm të vdekjeve në mesin e duhanprirëse, krahasuar me joduhanpirësit.

1942 – Lufta e Dytë Botërore, SHBA; Një nëndetëse japoneze del në sipërfaqe afër lumit Columbia në Oregon dhe hedh 17 predha pranë Fort Stevens – ky ishte vetëm një nga pak sulmet e Japonisë ndaj Shteteve të Bashkuara  në pjesën kontinentale.

2003 – Libri i pestë me Harry Potter, “Harru Potter and the Order of the Phoenix” u botua nga J. K. Roëling. Amazon.com dërgoi më shumë se një milion kopje në këtë ditë, duke qenë dita me shpërndarjen më të madhe të një artikulli të caktuar në historinë e tregtisë përmes internetit. Libri vuri rekorde në shitje me rreth pesë milion kopje të shitura në botë gjatë ditës së parë.

Lindje

  • 1953 – Benazir Buto ish kryetare e qeverisë së Pakistanit.
  • 1955 – Nijaz Omerović, skrimtar dhe piktor boshnjak
  • 1961 – Manu Chao, muzikant francez
  • 1978 – Erica Durance, aktore kanadeze

Vdekje

  • 1914 – Bertha von Suttner, letrare dhe pacifiste austriake
  • 1957 – Johannes Stark, fizikant gjerman

Festa dhe përvjetore

  • Dita Ndërkombëtare e Muzikës
Pin It