Shkolla mbaroi, por vera ka detyrat e saj

Shkolla mbaroi dhe hapet stina më e dashur për nxënësit, ajo e pushimeve të gjata verore. Por si do të plotësoni ditët e gjata të fëmijëve tuaj për tu zbavitur e argëtuar. Detyrat e verës kanë qenë një debat i shpeshtë mes prindërve edhe mësuesve, mbi argumentin nëse janë të nevojshme apo jo, por asnjëherë nuk është arritur një rezultat.

Prindërit zakonisht në fund të vitit shkollor marrin nga mësuesit e fëmijëve udhëzimet e duhura për ecurinë e fëmijës. Shumë prindër janë të idesë se vera duhet shijuar dhe fëmijët meritojnë argëtim e zbavitje të plotë, por në kohën e sotme të teknologjisë dhe informacionit është disi e vështirë kjo. Por ka dhe nga ata që mendojnë se në ditët e gjata të verës një pjesë kohe duhet ti dedikohet “detyrave”, qoftë leximit apo dhe shkrimit edhe si një lloj shlodhjeje për fëmijën, dhe moslargimin e fokusit nga mësimi.

Gjithmonë sugjerohet se aktiviteti ideal do të ishte leximi dhe mësuesit sugjerojnë disa libra për të shijuar gjatë verës, sigurisht varet dhe nga mosha e fëmijës. Leximi është ushtrimi më i mirë për gjuhën shipe dhe një mënyrë e mirë për të kaluar kohën qoftë në qytet apo dhe ne plazh. Për me tepër ju shërben dhe të mbani fëmijët larg televizioneve dhe smartphone-ve.

Për më të vegjëlit nuk është torturë një libër i vogël për të vizatuar, kopjuar e ngjyrosur. Gjithmonë në varësi të moshës, më të mëdhenjtë janë të aftë të organizojnë vetë mënyrën e leximit kur duan, gjatë ditëve të pushimeve. Ndërsa të vegjlit kanë nevojë për përkushtimin dhe të prindërve.

Pin It