Shërbim i pandërprerë dhe autoambulancë në dispozicion të pushuesve

Për herë të parë pranë plazhit të Tales në Lezhë është hapur një qendër shëndetësore verore në shërbim të pushuesve të shumtë ditorë që frekuentojnë këtë plazh.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu pa nga afër qendrën shëndetësore të Tales, e cila ofron shërbim 12 orësh.

“Nisur nga nevoja që ka patur vitin e kaluar dhe kërkesat e vazhdueshme për shkak të frekuentimit të lartë ditor të plazhit të Tales vendosëm hapjen e kësaj qendre verore si dhe vendosjen e një autoambulance fikse në zonën e plazhit. Janë 26 qendra verore që janë në dispozicion të pushuesve 24/7 në zonat turistike, për një sezon turistik të sigurt”, tha Manastirliu.

Qendra shëndetësore e Tales, sikurse çdo qendër shëndetësore verore është e furnizuar me të gjitha medikamentet bazë për çdo rast urgjence. Përveç qendrave verore, është rritur numri i autoambulancave që janë vendosur në dispozicion të pushuesve këtë vit.

“Janë 17 autoambulanca të stacionara në zonat turistike më të frekuentuara, të cilat janë të pajisura për herë të parë me të gjitha mjetet e nevojshme jetëshpëtuese. Nga ana tjetër kemi përforcuar shërbimin në spitalet pranë zonave turistike dhe i gjithë shërbimi po koordinohet nga urgjenca kombëtare”, tha Manastirliu.

Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po vijon edhe procesin e dezinsektimit pranë zonave turistike.

Deri tani janë kryer rreth 40 trajtime nga veriu në jug të vendit dhe ky proces do të vijojë deri në muajin shtator, për të garantuar një sezon turistik të sigurt. /a.g/

Pin It