Kosovë, vazhdon seanca mes tymit dhe gazit lotsjellës

maxresdefault

Kuvendi i Kosovës ka nisur sesionin pranveror me tym gazi lotsjellës, që hodhën sërish deputetët e opozitës. Ndryshe nga herët e tjera, kryeparlamentari Kadri Veseli e vazhdoi mes tymit seancën, duke kërkuar miratimin e një deklarate, që dënonte veprimin e gjykatave të Serbisë kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas ndërprerjes së seancës për disa minuta, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka folur për rikthimin e opozitës me gaz lotsjellës në Kuvend.

“Kjo ishte një fytyrë e vërtetë e këtij reagimi të eprorëve opozitarë. Ne do të vazhdojmë të punojm”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Por, opozita e bashkuar është shprehur e vendosur, që të vazhdojë bllokimin e punës së Kuvendit.

“Thirrja e seancave në këtë mënyrë, pa u mbledhur krerët për të gjetur një zgjidhje politike është thjesht për të provokuar dhe për të thelluar krizën”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës.

I ashpër kundër vazhdimit të punës së Kuvendit është shprehur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Kjo situatë aktuale kërkon vërtet epilogun dhe jemi të bindur që do ta ketë epilogun: zgjedhjet”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Pas pastrimit të sallës me ventilatorë të instaluar rishtazi, deputetët u rikthyen në seancë, por tanimë 18 deputetë nga opozita ishin të pezulluar. Për të larguar ata nga salla u desh ndërhyrja e forcave të Sigurimit.

Nxjerrja jashtë salle e deputetit të Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, përfundoi në përleshje jashtë sallës, ku kolegia e tij, Albulena Haxhiu u lëndua në kokë.

Disa deputetë të opozitës u arrestuan për gaz lotjsjellës, siç tha policia.

E teksa Kuvendi rimblidhej, deputetët e opozitës nuk u lejuan të hynin në sallë, ndërsa pas disa përpjekjesh për të hyrë, udhëheqësi i Vetëvendosjes, Visar Ymeri doli para protestuesve dhe e shpalli të mbyllur protestën për ditën e djeshme.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp deklaroi se, edhe pas këtyre zhvillimeve, ende nuk e kanë mësuar qëndrimin e opozitës dhe çfarë po kërkojnë ata në të vërtetë.

 

Pin It