Kulinaria shqiptare në Bursën Ndërkombëtare të Milanos

Kulinaria shqiptare u promovua gjatë fundjavës në Bursën Ndërkombëtare të Milanos.

Mastershefi i kuzhinës, Fundim Gjepali pasqyroi më së miri kulinarinë tradicionale shqiptare të përshtatur me trendin e ri të kulinarisë.

“Pjata që ka përgatitur mastershefi, Gjepali është një pjatë që dëshmon se si Shqipëria dhe në fushën e kulinarisë ka ecur me hapin e kohës. Pjata e sjellë është një pjatë tradicionale, por që është modernizuar, duke iu përgjigjur kërkesave të kohës”, tha Ardit Çollaku, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

“Turizmi në Shqipëri ka ecur me hapin e kohës, duke ofruar shërbime të modernizuara dhe pjesë e kësaj është dhe kulinaria, por jo vetëm. Pasi në vendin tonë po merr hov dhe turizmi dentar”, tha Çollaku, teksa prezantoi Gjepalin për publikun italian në Milano. “Dua ti bëjë ftesë të gjithëve të vijnë në Shqipëri, do shohin se 80% e shqiptarëve e dinë italishten, se kulinaria ofron kënaqësi për të gjitha shijet, se turizmi nuk është më vetëm detar e kulturor, por kemi dhe turizëm të formave nga më të ndryshme. Jam i sigurt se herën e parë do jeni si vizitorë, por kur të riktheheni në Shqipëri, do jeni  miqtë tanë”, tha Çollaku.

“Ishte emocionuese të përfaqësoj Shqipërinë, vendin tim, në këtë panair kaq prestigjioz ku marrin pjesë vende nga e gjithë bota. Falenderoj Ardit Çollakun, Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, që na mundësoi të jemi këtu sërish. Kemi marrë pjesë në këtë panair edhe dy vite më parë”, tha Gjepali.

“Dëshira ime ishte të tregoja bumin që ka pësuar Shqipëria në turizëm, kjo falë dhe gastronomisë. Turistët e huaj që vijnë në Shqipëri janë kuriozë të shohin zonat rurale me ushqime totalisht tradicionale, por ato kanë kërshëri të njohin dhe transformimin e gastronomisë shqiptare, duke iu përshtatur dhe modernizimit”, tha Gjepali për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Fundim Gjepali është një mastershef veteran i kuzhinës. Ai ka plot 18 vite që ushtron profesionin e kuzhinierit, ndërsa rrëfen se ka studiuar në Romë për të qenë një artizan i vërtet i kulinarisë.

“Erdha në Romë për të studiuar artin e të gatuarit. Tashmë kam 18 vite që e ushtroj si profesion. Rikthimi në Shqipëri u shoqërua me një sukses të madh, i cili më ka bërë të lumtur që kam zgjedhur këtë rrugë në jetën time. Nuk ka asgjë më të bukur se të jetosh me atë profesion që dashuron”, tha Gjepali, i cili, me plot pasion, ofroi për publikun italian në Milano, por jo vetëm, pasi në panair ishin vizitorë nga e gjithë bota, një gatim tejet tradicional, por me ngjyra moderne, siç është mishi i qengjit me qepë, karota e salcë kosi.

“Pjata që ofrova ishte tradicionale, e përgatitur enkas për bursën e Milanos, një pjatë fantastike. Gatova mishin e qengjit me qepë, karota e salcë kosi, e pikturuar me nota moderne e përgatitur enkas për bursën e Milanos, për t’i treguar botës se si Shqipëria jonë është transformuar, se si gastronomia shqiptare është modernizuar. Shpresoj që të kem transmetuar diçka nga gastronomia shqiptare. Falenderoj Ministrinë e Turizmit dhe Ardit Çollakun për këtë organizim perfekt për të pasqyruar imazhin e vërtetë të Shqipërisë, që është një vend fantastik për të jetuar”, tha Gjepali për Agjencinë Telegrafike Shqiptare./ATA/

Pin It