Kurz opozitës kosovare: “Ndaleni dhunën dhe bashkëpunoni”

kurz-110216

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën, në rrugën e integrimit europian dhe procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa ka ftuar opozitën të ndalë dhunën dhe të bashkëpunojë me qeverinë.

“E dimë se jeni në një pozitë të vështirë. I kemi parë dritaret e thyera të qeverisë dhe dua t’u bëj apel të gjithëve të heqin dorë nga dhuna dhe të përcaktohen qartë për një dialog demokratik. Dhuna nuk është zgjidhje dhe duhet të dënohet. Opozita duhet të bashkëpunojë në mënyrë demokratike me qeverinë”, tha Sebastian Kurz, ministër i Punëve të Jashtme të Austrisë.

Pas takimit me ministrin austriak, kryediplomati kosovar tha se, ky mund të jetë takimi i fundit në cilësinë e ministrit të Jashtëm, pasi pret që së shpejti të votohet për President, por megjithatë nuk tregoi datën e saktë, ndërsa mori mbështetje nga kryediplomati austriak.

“Do të isha jashtëzakonisht i kënaqur, do të ishte një moment i veçantë në karrierën time politike, që këtë periudhë diplomatike ta përmbyllja me një takim me mikun tim, por edhe me ministrin e shkëlqyer të Jashtëm të Austrisë, zotin Kurz”, tha Hashim Thaçi, ministër i Punëve të Jashtme.

“Me shumë kënaqësi do t’iu takoja edhe kur të bëheni president”, tha Sebastian Kurz, ministër i Punëve të Jashtme të Austrisë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ministri i Jashtëm austriak ka zhvilluar edhe një takim, pa praninë e medieve, me kryeministrin Isa Mustafa, ndërsa ka vizituar edhe një shkollë të mesme të ndihmuar financiarisht nga shteti austriak.

Pin It