LETËRSI – Vuillard merr çmimin “Goncourt” me një roman për ngjitjen e Hitlerit në pushtet

Çmimi prestigjioz francez i letërsisë “Goncourt”, iu dha  Eric Vuillard, autorit të librit që përshkruan ngjitjen e diktatorit gjerman,  Adolf Hitler në pushtet.

Në romanin “L’ordre du jour”, të 49 vjeçarit, Eric Vuillard gërshetohen detaje të trilluara me ato të realitetit, që autori i përdor për të eksploruar frikën, inercinë dhe oportunizmin e karaktereve të ndryshëm të asaj periudhe.

Takimi i fshehtë midis Hitlerit dhe liderit gjerman të prodhimit industrial, në shkurt të vitit 1933 luan një rol të rëndësishëm në historinë e romanit.

Gjithashtu, Vuillard ka trajtuar edhe më herët tematika të episodeve historike në librat si “14 Juillet”, mbi rënien e një kështjelle në Paris, e njohur zyrtarisht si Bastille Saint-Antoine gjatë revolucionit francez, dhe “Kongo” ku zhvillohen ngjarjet e  kolonizimit të Afrikës.

Ceremonia e ndarjes së çmimit të letërsisë franceze “Goncourt”, është zhvilluar çdo vit, që prej vitit 1903, nga akademia ”Goncourt”.

Ky është një çmim simbolik prej 10 eurosh që nxit shitjet e fituesit deri në një shifër rekord. Çmimi i dytë i madh i letërsisë “Renaudot”  iu dorëzua sot Olivier Guez , autorit të veprës mbi nazismin, “La Disparition de Josef Mengele”.

Guez përshkruan fatin e mjekut famëkeq në kampin e përqëndrimit të Auschwitzit, i cili u arratis në Argjentinë pas disfatës naziste në Luftën e Dytë Botërore./ATA/

Pin It