Shqipëri- Kosovë, bashkë për kulturën shqiptare në diasporë

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi, në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri, u takua me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Kumbaro theksoi rëndësinë për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, si një mundësi për të përçuar kulturën shqiptare në formën më të mirë.

Nga ana e tij, Gashi e njohu Kumbaron me planet e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike në fushën e ruajtjes të identitetit dhe kulturës shqiptare në diasporë, njëherësh duke falënderuar bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë e Kulturës.

Ai tha se “bashkëpunimi gjithsesi do të intensifikohet ndërsa fokusi do të jetë në projektin tashmë të njohur Ditët e Kulturës shqiptare në Diasporë ku koordinimi në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore është i domosdoshëm”.

Në fund të takimit, dy ministrat ranë dakord  që të bëhet një plan i përbashkët i veprimit ashtu që në Vitin e Skënderbeut të realizohet një koordinim sa më i mirë me aktivitete që do të shërbejnë si pasaportë kulturore jo vetëm për bashkatdhetarët tanë por për të gjitha vendet dhe qytetarët e vendeve ku është prezentë diaspora jonë. /ATA/

Pin It