Lonely Planet, video promovuese për rivierën shqiptare

Lonely Planet, e cila është kompania më e madhe në botë për publikimin e guidave turistike, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë plazheve të rivierës shqitpare, ndërsa u bën thirrje turistëve që të vizitojnë ato që i quan thesaret e fshehura të Shqipërisë. Në një video të publikuar në Facebook, nënvizohet se plazhet e jugut të vendit tonë popullohen shumë gjatë muajve të verës, por gjithësecili mund të gjejë këndin e tij të qetësisë.

Gjigandi australian i njeh ndjekësit me bukuritë natyrore të vendit tonë, kushtuar kryesisht plazheve që nuk janë shumë të populluara.

Fillimisht, shfaqen pamjet e vijës bregdetare të Dhërmiut, i cili përshkruhet si një rrip shkëmbor i bardhë i cili dergjet drejt ujërave me ngjyrë blu të errët.

Gjatë muajve të verës kjo zonë popullohet, por plazhi është kaq i gjatë sa që mund të gjesh një cep të qetë, shkruan Lonely Planet për pushuesit të cilët preferojnë të pushojnë veçmas.

Plazhi i Bunecit përshkruhet ndërkohë si një plazh i vogël tërheqës në formën e gjirit, i pa ndikuar shumë nga dora e njeriut dhe që për më tepër karakterizohet nga qetësia.

Hajdeni këtu për të dëgjuar asgjë tjetër përveçse valëve të detit si dhe për të përjetuar një perëndim dielli të bukur është mesazhi për të gjithë turistët në mbarë botën.

Nuk lihet jashtë vemendjes as Ksamili dhe tre ishujt. Ndërkohë për pushuesit rekomandohet edhe vizita në qytetin antik të Butrintit për të kombinuar pushimin në det me turizmin kulturor.

Vija bregdetare prej 7 kilometrash e Borshit cilësohet si një pamje fantastike dhe që për më tepër është e paprekur në një pjesë të konsiderueshme nga dora e njeriut, me vetëm pak bare dhe restorante.

Lonely Planet u bën thirrje të gjithë turistëve në mbarë botën se ka ardhur koha të eksplorohen thesaret e fshehura të Shqipërisë.

https://www.youtube.com/watch?v=z6C2Z8eTFfo

Pin It