Luigj Gurakuqi, patrioti e intelektuali që lartësoi Shqipërinë

Luigj-Gurakuqi-2

Më 13 janar 1927 u  nda nga jeta  Luigj Gurakuqi. Ai ishte  veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet. Hero i Popullit shqiptar. Është një nga personalitetet më të shquara të levizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Në shkrimet e tij përdorte emrat e pendës Jakin Shkodra e Lek Gruda.

Lindi në Shkodër më 20 shkurt 1879,ndërsa në një dorëshkrim shënohet data 19 shkurt 1880 dhe u rrit në gjirin e një familje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi. Me edukimin e tij u mor në mënyrë të veçantë i ati. Pjetër Gurakuqi ishte një tregtar me kulturë relativisht të ngritur, me një rreth të gjërë shokësh e miqsh në mes tregtarëve e intelektualëve të Shkodrës, me një jetë aktive në pazarin e qytetit dhe me marrëdhënie tregtare me Venedikun e Milanon. Shtëpia e këtij tregtari të kulturuar e të shëtitur gumëzhinte nga hyrjet e daljet e njerëzve që vinin të diskutonin hallet e kohës e të merrnin vesh lajmet e botës. I ndodhur përherë pranë të atit, dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluarës dhe të ditës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanikë dhe për burrat që i udhëhoqen ato. Duke kujtuar këto vite, Gurakuqi student do të shkruante:

Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shume kish pa“.

Tek personaliteti i Luigj Gurakuqit spikat kultura e gjërë dhe enciklopedike. Njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tij. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore pedagogjike kombëtare dhe europiane. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqishten e gjermanishten, ka të ngjarë edhe anglishten dhe kishte një kujtesë të çuditshme. Në formimin filozofik botëkuptimor L. Gurakuqi është idealist objektiv. Ai mbante qëndrime liberale ndaj fesë e praktikave fetare, qëndronte larg çdo fanatizmi fetar. Pranonte ekzistencën e Zotit si krijues i gjithësisë. Sipas tij Zoti është qënie që s’ka as fillim e as mbarim, se asgjë nuk mund të krahasohet me të, se:

…qielli e toka, fushat e gjana,
Malet e nalta, detrat e mëdhana,
T’gjitha prej Zotit paten krijim,
Qi s’di mase me vedi, fill as mbarim

Është ky Zot i plotfuqishëm tek i cili L. Gurakuqi ka shpresë dhe besim se do të marrë në dorë fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve, se do të bekojë punët e tyre e do t’u plotësojë dëshiren për liri e pavarësi. Dialektika e zhvillimit është ndër anët më racionale të idealizmit objektiv. L. Gurakuqi e pranonte parimin e zhvillimit të botës, të natyrës, të shoqërisë e të shpirtit njerezor, se çdo gjë në botë “ndërron pa prâ“, se “bota asht si një rrotë që sillet pa rreshtur” dhe se “vetëm fatalistët e krymbun, trêmben prej përparimit… kondendohen (kënaqen) me ndêj gjithmonë në një shtet (gjendje) t’gurtë e t’pa jetë“. Sipas F. Nolit,

Gurakuqi gjatë gjithë jetës së tij pati marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë ata drejtues të komuniteteve fetare që luftonin për një Shqipëri të lirë. Levizja patriotike e demokratike, arsimore e kulturore i dhanë personalitetit të L. Gurakuqit peshën e përmasave mbarëkombëtare, e bënë atë një figurë tepër autoritare e të besueshme edhe ndër punët më të vështira e më delikate për fatet e atdheut. L. Gurakuqi i dhá gjithçka kësaj levizjeje: tërë forcat e veta fizike dhe mendore, i fali rininë, gëzimet e jetës, shpirtin e gjakun e vet.  Ai shërbeu në këto detyra të rëndësishme ,Ministër i Arsmit ( 1912 – 1914) dhe  Ministër i Financave ( 16 qershor 1924 – 24 dhjetor 1924)

 

Pin It