Lutja, është një sonatë e ëmbël…

Lutja është adhurim. Lutja është bërthama, ajka e përkushtimit. Lutja është emri i kthimit e drejtimit total nga Zoti. Kur flitet për adhurim, është e pamundur të mos përdoret lutja. A nuk urdhëron Allahu: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj” (Furkan 25/77), a nuk na thotë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir, 40/60) Lutja është një relacion i fortë mes robit e Zotit. Me të tjera fjalë, lutja është mënyra e shfaqjes së botës së mendimit e apasionatave të robit, para Zotit. Gjithë çka njeriu kërkon e që nuk arrin ta plotësojë me mundësitë e fuqitë e veta, ia kërkon të Gjithëpushtetshmit Absolut me anë të lutjes.

Lutja është një sonatë e ëmbël që nis te zemra e besimtarit e lartësohet e lartësohet drejt Zotit, deri në kupë të qiellit. Ajo lutje, që sot është përmbledhur e ngushtuar vetëm në pesë vaktet e namazit, ose në fund të disa adhurimeve të tjera, në të vërtetë është nevoja e domosdoshmëria më e madhe e kësaj jete dhe e të përtejshmes. Jeta nuk mund të mendohet pa lutjen, sepse jeta vetë është një lutje, nga lindja në vdekje. Lutja është kodi i Aprovimit Hyjnor dhe çelësi i vendit të parajsës. Sërish, lutja është simboli i të qenit “abd” që i paraqitet Zotit dhe simboli i mëshirës që zbret nga Zoti. Ose me fjalë të tjera, është vatra e marrëdhënies mes Zotit e robit.

Nga njëra anë, lutja është adhurim; nga ana tjetër, është një miraxh vetjak, që bashkon botën materiale me atë shpirtëroren, të dëshmuarën me të padëshmuarën ende; një miraxh i lumturuar, që shkallë-shkallë, lartëson njeriun drejt së Vërtetës Sublime. Në sajë të lutjes, dora e mëshirës qëndron mbi ne dhe na mbron e na ledhaton, aq sa thuajse e ndjejmë vërtet. Njëkohësisht, lutja është një rrufepritës i ndëshkimit. Lutja është një formë efikase e adhurimit, që thith mëshirën e aprovimin hyjnor e shtyn e largon ndëshkimin e hidhërimin. Shpeshherë, aty ku fuqia njerëzore bllokohet e nuk ka më ndikim, ndërgjegjja njerëzore, me apo pa vetëdije, thërret në skenë lutjen.

Pin It