Macron propozon një konferencë donatorësh për Shqipërinë pas tërmetit

Presidenti francez, Emmanuel Macron propozoi ditën e djeshme organizmin e një konference ndërkombëtare për të ndihmuar Shqipërinë që të përballojë shkatërrimet nga tërmeti, që shkaktoi 51 viktima.

“Është e nevojshme një konferencë solidariteti me Shqipërinë”, deklaroi Macron, pas samitit të NATO-s, në Londër.

Sipas tij, kjo konferencë synon të mobilizojë partnerë publikë e privatë, për të organizuar rindërtimin pas tërmetit, që la rreth 5 000 të pastrehë.

Më 30 nëntor, Kryeministri Edi Rama falënderoi ekipet e shpëtimit, që erdhën nga jashtë vendit, veçanërisht nga Franca, për të ndihmuar në përballimin e pasojave të tërmetit me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Ditën e djeshme edhe Komisioni Europian u solidarizua në rimëkëmbjen e Shqipërisë pas goditjes nga tërmeti i 26 nëntorit. Komisioni Evropian vendosi që ti japë Shqipërisë një ndihmë prej 15 milionë eurosh.

“BE është në solidaritet të plotë me Shqipërinë. Kemi vendosur për zhvillimin e një konference të përbashkët donatorësh”, u shpreh Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.

Pin It