Mbi tre shekuj pa Molierin, shkrimtarin që me humor goditi veset e këqija

afe1a1b42bfc653d3341b0fc8d12ca4c

 

Zhan Batist Poklen, i quajtur dhe njohur ndryshe si Molier, është një nga gjenitë e letërsisë klasike, jo vetëm asaj franceze por mbarë letërsisë botërore. Ai u lind më 15 Janar të viti 1622 dhe vdiq me 17 Shkurt të 1673. Jeta dhe krjimtaria e tij si komediograf dhe aktor skene i teatrit, i përkasin shekullit XVII, periudhë kjo që në historinë franceze njihet si periudha e sundimit të “mbretit diell” Luigjit XIV.

Molieri është një nga figurat më të ndritura të letërsisë botërore, që hodhi themelet e komedisë franceze. Jetoi veprimtarinë e vet dramatike në të ashtuquajturin “shekull të artë” të monarkisë absolute, që shënonte etapën më të lartë të feudalizmit si rend shoqëror dhe fillimin e shpërbërjes së tij. Së bashku me disa dashamirë të vet, formon një trupë me nëntë aktorë, të cilën e quan “Teatri mbreteror”, pikërisht në këtë kohë e ndërroi emrin dhe u quajt Molier. Ai ushtronte në të njëjtën kohë detyrën aktor, regjisor, drejtues trupe dhe autor tekstesh. Jeta e tij ishte lidhur ngushtë me teatrin. Duke i shpërthyer rregullat e ngurta të doktrinës klasiciste autor-aktor-regjisor, në emër të arsyes e të logjikës së shëndoshë, krijoi komedi, e cila godiste çdo ves ose shfaqje negative të kohës dhe të njeriut në përgjithësi. Temat delikate që trajtonte, i nxirrnin shumë telashe në jetë.

Molieri shprehu nëpërmjet teatrit mendimin e vet për shumë nga problemet kryesore të epokës kur jetoi, si për shembull: hipokrizinë klerikale dhe shoqërore, degjenerimin moral e shpirtëror, preciozitetin, kopracinë, tendencën e një pjesë të borgjezisë për të imituar fisnikërinë, martesën borgjeze e despotizmin prindëror etj.

Teatri i Molierit është i veçantë, origjinal dhe krejt i ndryshëm nga ai i bashkëkohësve të vet, Kornejit e Rasinit. Molierin nuk e shqetësonte shumë ideja e respektimit të rregullave të ngurta të klasiscizmit. Para se gjithash, ai dëshironte “t’i pëlqente publikut” dhe për të “kjo është rregulla e madhe e të gjitha rregullave”. Sipas tij komedia duhet ta bëjë spektatorin të vetëkorrigjohet duke qeshur. Kjo cilësi u quajt katarsis komik. (d.m.th. të pastohesh shpirtërisht nëpërmjet së qeshurës).

Veprimi komik në veprat e tij rrjedh natyrshëm, shpejt dhe me tensionime. Kjo karakterizohet jo vetëm me situatat e freskëta komike, kthesat e papritura dhe kontrastet e ashpra, por edhe me dialogun e gjallë e shumë dinamik. Me mjeshtëri Molieri krijon atmosferë të nxehtë, të shkaktuar nga veprimet dhe pasionet e personazheve sipas mënyrës së të folurit dhe pasioneve të tyre i nënshtrohen plotësisht idesë kryesore: përqeshja dhe demaskimi i ashpër i së keqes shoqërore dhe triumfi i drejtësisë. Veprat më të njohura të Molierit mbahen: Tartufi, Don Zhuani, Mizantropi, Kopraci dhe Borgjezi fisnik.

Molieri mbetet një krijues i madh i ndërtimit të karaktereve. Një pjesë e mirë e tyre jo vetëm që i kanë qëndruar kohës, por janë shndërruar në emra simbolikë. Dhe kjo është një arritje e madhe e artit të Molierit, i cili atë që mori nga jeta, ia riktheu asaj me gjenialitetin e vet. Së bashku me Shekspirin, Molieri ishte pa dyshim një nga dramaturgët më të mëdhenj e më popullor botërorë.Por fama e tyre vazhdon të ecë edhe në gjurmët e së ardhmes.

Kopraci: Në komedinë Kopraci Molieri demaskon me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet kopracinë, që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja shumë negative. Herpagoni koprac e fajdexhi jeton në ethen e parave. Ai ka humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve. Këta të fundit, jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Herpagoni mbetet një nga figurat më negativë, antipatikë e qesharake njëkohësisht, që ka krijuar pena e Molierit.

Duke i vene titullin Kopraci, Molieri e percakton qysh ne titull pjesen e tij si komedi karakteri,ne te cilen perqeshen personat qe e bartin kete ves te lig e asocial, qe e deformon perçudshem karakterin e tyre.Pikenisjen per Kopracin Molieri e ka marre nga komediografi romak Plauti, i cili ne pjesen me titull Kusia tregon se si Euklioni , qe gjeti nje dite nje kusi plot me monedha te arta , jo vetem qe nuk harxhoi asnje grosh, po edhe humbi rehatine e gjumin nga frika se mos ia merrte kush kusiçken e shtrenjte. Molieri e quan kopracin e vet me emrin Harpagon dhe e paraqet si qenie te roberuar nga vesi i vet, ne ate mase sa te qenit koprac perben thelbin e karakterit te tij.

Molier, i përket klasës borgjeze, por kjo nuk e pengon atë t’i kundërvihet të metave të kësaj klase, duke kritikuar ashpër anët e saj të errëta. Ai gjithashtu është një kritik i ashpër i oborrtarëve dhe klasës së klerit dhe, për të përçuar mesazhin e tij të fortë kundër tyre, ai zgjedh satirën. Si çdo gjeni i kohës, edhe ai do kritikohej dhe do i shfaqen shumë pengesa në artin e tij, por këto pengesa vetëm sa do e vinin më në qendër të vëmendjes mjeshtërinë e tij krijuese. Me pendën e tij, ai i vihej kundër çdo vesi dhe zakoni të shoqërisë njerëzore, që shpërfytyrojnë personalitetin e njeriut.

“Mizantropi” komedi e shkruajtuar nga Molier, është nga veprat që më ka lënë më shumë mbresa, më tepër edhe për vërtetësinë që risjell ajo vepër deri në ditët tona.
Alcesti, si personazh kryesor i kësaj komedie, është njeriu i cili s’duron dot hipokrizinë e njerëzve, padrejtësinë, veset dhe zakonet që e ulin njeriun. Ky fakt e bën ata që të shpërthejë shpeshherë përballë gjendjeve të tilla, nga ku ai arrin deri në atë pikë sa të shprehet se urren gjithë njerëzimin dhe se do të donte të largohej e të jetonte diku larg tyre.

Ai i urren edhe ata që heshtin përpara këtyre veseve dhe s’i kundërvihen. Alcesti, është njeriu i cili i kundërvihet deri në fund kësaj loje të shoqërisë njerëzore dhe, s’nguron në asnjë çast t’u thotë të gjithëve atë që mendon dhe duke e bërë këtë sinqerisht. Ai urren padrejtësitë, por kjo s’e pengon atë të shprehë një mospërfillje për vendimin e një gjyqi të padrejtë që do bëhet ndaj tij, nga ku për të s’i bëhet më vonë nëse e shpallin fajtor apo jo, por ajo që ka më tepër rëndësi për të, është të shikojë përpara tij sesa janë në gjendje njerëzit të gënjejnë, të shpifin, të sillen hipokritë, të nëpërkëmbin drejtësinë para syve të tij. Ai nuk do ta humbë këtë shfaqje.

Pin It