“Mejtimi”- Naim Frashëri

Rri mejtohem shumë herë

Tek perëndon yll’i zjarrtë,

Edhe hapetë një derë,

Soje rrjeth një drit’ e artë.

Retë, nga pak’ e nga pakë,

Marrën një tjatër fytyrë,

Bënenë të kuqe flakë,

E deti ndrin si pasqyrë.

Oh! sa të bukura janë

Fushatë që gjelbërojnë,

Qiejtë që s’kanë anë,

Luletë që lulëzojnë,

Zoqthitë që flasin belbër

E fluturojnë ndë erë,

Pyll’i veshur më të gjelbër,

Deti i qet’ e i gjerë,

Lumi që nxjerr oshëtimë,

Që bubullin nëpër male

Dhe ikën me fishëllimë

Nëpër fusha me ngadale,

Brigjet’ e veshurë me bar,

Me lule, me gjeth, me fletë,

Rrahurë n’ergjënt edhe n’ar,

Ahu me krye përpjetë!

Më çdo kënt edhe më çdo vis

E më çdo çuk’ e çdo brinjë

Shoh një plep, një vith a lis,

Një qarr, një bush, një dëllinjë.

Hap sytë dhe përqark shikonj

Fushë, limë, brigje, male,

Edhe të shkuarat kujtonj

Një nga një, dalengadale.

Për ata që janë ndarë

Prej nesh, që rrinim gjithë tok

Edhe më s’i kemi parë,

Që i patmë shpirt edhe shok,

Zëmëra më përvëlohet

Edhe them vallë ç’u bënë,

Kur shoh që koha po ndrrohet

Dhe të mugëtit ka rënë,

Po rrjeth nëpër hapësirë

Edhe sa vete po shtohet,

Lint nata me errësirë,

Dheu e qielli ndryshohet.

Kështu rrotullohet moti,

Yjt’ e hëna sytë hapin

Dhe pas nomit q’u vu Zoti

S’rrinë, po gjithënjë çapin.

Lumi me një psherëtimë

Ikën edhe vete në det,

Dëgjohet një bubullimë,

Që përhapetë përmbi dhet.

Duke shkuar dit’ e net,

E duke ndërruarë moti,

Vemi si lumi në det,

Nga Zoti, prapë te Zoti

 

Pin It