Ministria e Kulturës plane për ngritjen e Qendrës së Librit dhe Leximit

15541281_1862638620615305_6393052730778466241_n-350x197

Në ambientet e Ministrisë së Kulturës u zhvillua sot mbledhja e Këshillit Kombëtar për Librin dhe Nxitjen e Leximit, ku u diskutua mbi politikat e librit gjatë këtyre viteve, duke u përqendruar në mënyrën sesi ka ndryshuar këndvështrimi mbi politikat e librit dhe cilat janë synimet që kërkohen të arrihen.

Një pikë e rëndësishme e rendit të ditës në diskutimin e sotëm ishte dhe nisma për ngritjen e Qendrës së Librit dhe Leximit, si një organ në varësi të Ministrisë së Kulturës, i cili do të mundësojë lehtësimin e zbatimit të politikave të librit, krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve financiare dhe shtimin e burimeve njerëzore në dispozicion për fushën e librit, rritjen e mundësisë për sigurimin e fondeve të jashtme dhe burimeve të tjera ndihmëse financiare në fushën e librit, përfshirjen më të gjerë të krijuesve, përkthyesve dhe botuesve në projektet e librit dhe nxitjes së leximit.

Ministrja Kumbaro theksoi se ajo çfarë ka ndryshuar në këto tri vite është ndryshimi i kahut në politikat mbështetëse në fushën e librit ku lexuesi është vendosur në qendër të vëmendjes nëpërmjet financimit të projekteve për nxitjen e leximit, rijetëzimin e bibliotekave vendore dhe të shkollave e nisma të tjera që gjallërojnë jetën e librit. Së dyti, janë ndërtuar politika për mbështetjen e krijuesve dhe përkthyesve, si pjesa më vulnerabël dhe më e pambështetur në zinxhirin e librit, duke ngritur projekte të posaçme në ndihmesë të tyre.

Është ndërtuar gjithashtu një politikë e jashtme mbështetëse në fushën e librit, duke e bërë Shqipërinë pjesë të organizmave dhe projekteve të rëndësishme ndërkombëtare si “Europa Krijuese” dhe rrjeti “Traduki”, prej të cilëve në tri vite janë përfituar 1.028.979 Euro për projekte të përkthimit, leximit, lëvizshmërisë së krijuesve dhe përkthyesve, etj.

Drejtuesi i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, pasi përgëzoi këndvështrimin e ri në politikat e librit, e vuri theksin në vëmendjen që duhet t’i kushtohet ndryshimeve në hartimin e ligjit të ri për librin, e sidomos në përmirësimet në sistemin fiskal lidhur me librin, për të lehtësuar tatimin mbi librin, si atë tradicional, ashtu dhe atë elektronik. Gjithashtu theksoi se ngritja e një qendre libri nuk duhet të rrudhë strukturat e librit pranë Ministrisë së Kulturës. Edhe të pranishmit e tjerë në mbledhje shprehën mendimet e tyre lidhur me ndryshimet e mundshme në ligjin për librin.

Të pranishmit kërkuan një kohë në dispozicion për t’u njohur edhe më mirë me draftin e parë të propozuar dhe për të shprehur mendimet e tyre konkrete. Për këtë arsye u propozua nga Këshillit Kombëtar për Librin dhe Nxitjen e Leximit (KKLNL)mbledhje një mbledhje e dytë për të diskutuar në detaje lidhur me draftin e propozuar.

Pin It