Miratohet buxheti i Tiranës për vitin 2017, nuk ka rritje taksash

keshilli_2

Pas një mbledhje e cila filloi në mesditën e sotme dhe ka vazhduar deri afër mesnatës, Këshilli Bashkiak ka miratuar buxheti e Bashkisë së Tiranës për vitin 2017. Buxheti i cili është parashikuar të jetë rreth 15.3 miliardë lekë është miratuar vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që këshilltarët e djathtë kanë votuar kundër dhe kanë kërkuar një ulje të taksave me 30%. Më herët gjatë mbledhjes maratonë të Këshillit Bashkiak, është miratuar edhe plani i përgjithshëm vendor për vitin 2017, i cili gjithashtu është kundërshtuar nga këshilltarët e djathë duke arsyetuar se nuk ka pasur transparencë me qytetarët në hartimin e tij.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e e cilësoi projektbuxhetin e vitit 2017 më ambiciozin. Gjatë fjalës së mbajtur për prezantimin e projektbuxhetit, Kryebashkiaku Veliaj tha se vitin e ardhshëm buxheti do të jetë 15, 3 miliardë lekë. “Buxheti i vitit të ardhshëm është shumë më ambicioz sesa viti që po lëmë pas. Për herë të parë Tirana do të ketë një buxhet prej 15, 3 miliardë lekë. Në ndryshim nga viti 2014, ku u parashikuan 69 milionë dollarë të ardhura dhe u mblodhën vetëm 46 milionë, apo viti 2015 ku u parashikuan 74 dhe u mblodhën vetëm 40 milionë dollar, pasi realizuam në 2016 buxhetin më të madh që ka pasur Tirana prej 12.4 miliard lekësh, vitin e ardhshëm ne do të kemi një buxhet prej prej 15, 3 miliardë lekë”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se vitin e ardhshëm nuk do të ndryshojë asnjë taksë, duke ruajtur ato të vitit 2016. “E vetmja gjë që do të ndryshojë vitin e ardhshëm do të jenë procedurat të cilat nga 1 janari do të thjeshtohen e standartizon, duke përgjysmuar dokumentacionin që i kërkohet biznesit dhe duke shkurtuar kohën në shërbim të biznesit”, tha ai. Investimet Kreu i Bashkisë tha se për vitin 2017 do të synohet realizimi i një sërë ndërhyrjesh e projektesh të mëdha që do ta përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës në Tiranë. “Në terma konkretë, 39% e këtij buxheti do të shkojë për investime publike, 32% për shpenzime operacionale dhe 29% për shpenzime administrative. Krahasuar me vitin 2014 apo 2015, buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë thuajse 2 herë më i lartë. Ndërsa në krahasim me vitin 2016, buxheti i 2017 do të jetë 24% më i lartë”, tha ai. Një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet edhe strehimit, zhvillimit ekonomik dhe të rinjve, ndërsa do të vijojnë edhe investimet publike. “Strehimi do të zërë 4% të shpenzimeve buxhetore, 2.9% Programi i Rendit dhe Mbrojtjes, ndërsa 2% do të zërë programi i Kujdesit Social. Nga 1% të buxhetit do të përbëjnë rinia e sporti, zhvillimi ekonomik si dhe mbrojtja nga zjarri. Në vitin 2017, ne do të investojmë 6 miliardë lekë, ndërkohë që në 2014 investimet publike ishin 1,6 miliardë lekë, në 2015 1,7 miliardë lekë ndërsa në 2016, 3 miliardë lekë. Po të krahasohemi me 2014 kemi një rritje prej 269%, një rritje 252% krahasuar me 2015 dhe 100% krahasuar me 2016”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë garantoi se gjatë vitit 2017 do të investohen plot 2,4 miliard lekë, duke shënuar një rritje të investimeve për rrugët dhe për transportin publik me 268% krahasuar me 2014, 296% me 2015 e madje 134% me 2016. Gjatë vitit 2017 do të riparohen 48,000 m2 të infrastrukturës ekzistuese.

Përveç investimeve në rrugica e blloqe banimi, do të riparohen rreth 24,000 m2 trotuare. Duke i dhënë përparësi sigurisë në rrugë, në projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës parashikohet që gjatë vitit 2017 do të synohet rikualifikimi tërësor i gjithë infrastrukturës horizontale dhe vertikale. Gjithashtu, do të pajisen me sinjalistikën e nevojshme korsitë e autobusëve urbanë në unazën e mesme dhe unazën e vogël, si edhe në disa prej rrugëve që lidhen me to. Përgjatë këtyre dy unazave dhe në rrugët që lidhin ato do të krijohen korsitë e biçikletave e do të pajisen me sinjalistikën përkatëse.

Kreu i Bashkisë garantoi se vëmendja do të jetë edhe tek shërbimet publike vendore, ku përfshihen pastrimi, gjelbërimi, ndiçimi, etj. “Një nga objektivat më të rëndësishëm do të jetë garantimi i pastërtisë në rrugë dhe në hapësirat publike. Gjatë vitit të ardhshëm do të rikonceptohen dhe strukturohen zonat dhe shërbimet e pastrimit në gjithë territorin e Tiranës, në kuadër të reformës administrative. Gjithashtu, në zonën brenda unazës së mesme do të pilotohet ndarja dhe diferencimi i mbetjeve urbane, duke i dhënë përparësi kështu riciklimit. Ndriçimi do të jetë një nga përparësitë kryesore gjatë vitit të ardhshëm dhe do të synohet rikualifikimi i rrjetit ekzistues në masën 100% duke riparuar ndriçuesit e dëmtuar dhe duke zëvendësuar ata që mungojnë”, tha Veliaj, ndërsa shtoi se përsa i përket parkimeve, përveç kontrollit dhe normalizimit të vend­parkimeve në rrugë, është programuar hapja e 10 shesheve të reja të parkimit publik. Arsimi Gjatë vitit 2017, përparësi do t’i jepet edhe gjelbërimit dhe hapësirave çlodhëse. Kësisoj, është planifikuar mbjellja e pemëve dhe bimësisë dekorative, si edhe pajisja me kosha mbeturinash dhe stola, në 33 rrugë, 13 blloqe banimi dhe 15 lulishte. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe krijimit të këndeve sportive të reja apo rehabilitimit të atyre ekzistuese.

Gjithashtu, përsa i përket sportit, do të zbatohet edhe një  projekt për të krijuar klasat sportive në çdo shkollë të Tiranës. Gjajët vitit 2017 parashikohet edhe ndërtimi i 17 shkollave të reja përmes ngritjes së një skeme të partneritetit publik privat. Vëmendje maksimale do t’i kushtohet ngrohjes në objektet arsimore, ku është parashikuar rehabilitimi i infrastrukturës dhe vendosja në efiçencë të plotë i ngrohjes në 208 shkolla 9­vjeçare e të mesme dhe 69 kopshte në të 24 njësitë bashkiake që përbëjnë Tiranën.

Kryetari i Bashkisë deklaroi se Bashkia e Tiranës synon të rifillojë programin e banesave me kosto të ulët, zbatuar nga viti 2009­2013 përmes një marrëveshjeje të nënshkruar nga disa aktorë si (Ministria e Financës, Banka Kombëtare Tregtare, Bashkia e Tiranës etj) bazuar në fonde buxhetore të alokuara në nivel qëndror nga Ministria përgjegjëse për zhvillimin Urban. “Duke qenë se aplikimet për këtë program kanë vazhduar, ne kemi vendosur ta vazhdojmë këtë program duke u bazuar në burimet e veta financiare.

Në buxhetin e vitit 2017 është parashikuar fondi prej 95 milionë lekë me të cilin do të subvencionohen interesat për rreth 1000 kredi të buta që Bashkia do të mbështesë gjatë këtij viti”, tha ai. Investimet strategjike Me mbështetjen e donatorëve dhe partnerëve të rëndësishëm, Bashkia e Tiranës do të realizojë një sërë veprash të mëdha të infrastrukturës së qytetit përmes PBA 2017­2019. Disa nga këto projekte janë: 1. Shkollat e reja Do të ndërtohen 17 shkolla të reja, nga të cilat 10 shkolla të ciklit 9­vjeçar, të cilat do të përfshijnë edhe ambiente për kopshte brenda tyre, dhe 7 shkolla të ciklit të mesëm të lartë.

Zgjerimi dhe sistemimi i shtratit të Lanës Për vitin 2017 Bashkia e Tiranës do të parashikojë realizimin e dy segmenteve për zgjerimin dhe sistemimin e shtratit të Lanës në të dy krahët e tij. 3. Pylli orbital Bashkia e Tiranës do të parashikojë që në buxhetin e vitit të ardhshëm investimin në bimësi prej 1 milion USD.

Terminalet e Transportit Brenda dy muajve të parë të vitit Bashkia do të negociojë kontratën e koncesionit, e cila do të garantojë ndërtimin e Terminalit, operacionalitetin e tij sipas standarteve ndërkombëtare, si dhe prurjen e të ardhurave financiare për Bashkinë. Aspirata e Bashkisë është që ky Terminal të ndërtohet brenda vitit 2017. Në projektet e Bashkisë së Tiranës është edhe Terminali jug­lindor i Tiranës.

Plani i ri i Përgjithshem Vendor i Tiranës parasheh një qytet me 5 qendra të reja urbane në Kombinat, Kinostudio, Laprakë, tek Bulevardi i ri si dhe në Shkozë. 6. Rrjeti minimal i biçikletave Rrjeti Minimal i Bicikletave do të krijojë një skelet me korsi të dedikuara dhe te veçuara nga trafiku për qytetarët që përdorin biçikletën si mjetin kryesor të lëvizjes së përditshme.

Pin It