Mirësi dhe dhembshuri ndaj fëmijëve, ashtu si na ka mësuar Profeti

Zemra e një fëmije duhet ushqyer me përshpirtshmëri dhe besim tek Zoti qysh në moshë të vogël. Mësimi rreth Zotit në një moshë të re, i ndihmon fëmijët të përballojnë vështirësitë e jetës jo vetëm gjatë periudhës së vegjëlisë, por edhe kur të jenë të rritur. Sa më shumë të jetë i ekspozuar një fëmijë në një shoqëri që praktikon besimin, aq më e lehtë do të jetë për atë fëmijë të kuptojë dhe të pranojë besimin dhe jetën shpirtërore më vonë kur të rritet. Është vënë re se fëmijët që janë rritur në një shoqëri religjioze, janë më të aftë për të formuar relata të qëndrueshme e të shëndetshme me prindërit e tyre. Islami na mëson se fëmijët janë dhuratë nga Zoti Mëshirëplotë e Bujar. Ne duhet t’i duam e të përkujdesemi për ta me dhembshurinë e dashamirësinë e duhur me qëllim që të sigurojmë një zhvillim të shëndoshë për ta.

Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, i konsideruar si “Kuran i gjallë” nga gruaja e tij Aishja, është një shembull parësor se si të kuptohet koncepti islam mbi të ushqyerit e botës shpirtërore të fëmijëve. Ashtu si në aspektet e tjera të jetës, Profeti Muhamed shërben këtu si një shembull për mënyrën se si duhen edukuar fëmijët. Në shumë mësime të tij, Profeti Muhamed vë theksin mbi rëndësinë e të treguarit mirësi dhe dhembshuri ndaj fëmijëve.

Sa kohë fëmijët janë të dobët dhe të pafuqishëm, shpirtrat e tyre lulëzojnë më mirë kur ata kuptojnë dhe përjetojnë për vetët e tyre Krijuesin e Fuqishëm e të Dhembshur. Përmes besimit në Zot dhe dorëzimit pas udhëzimit të Tij, fëmijët do të jenë në gjendje të përballojnë frikën dhe sfidat përgjatë jetës së tyre.

Të treguarit e dashurisë dhe mëshirës për fëmijët, ka një vend të veçantë në mësimet e Profetit Muhamed. Për të adresuar rëndësinë e mëshirës në zhvillimin shpirtëror të fëmijëve, Profeti deklaronte: “Cilido që nuk tregon mëshirë ndaj fëmijëve të tij, nuk është prej nesh” (Muslim). Për këtë arsye, Profeti Muhamed predikoi që fëmijët duhen të qasen me mëshirë, dashuri, respekt dhe besim, ndërkohë që mësimet islame në mënyrë të veçantë theksojnë mëshirën dhe dashurinë.

Pin It