Monumentet e Durrësit me materiale të riciklueshme në një ekspozitë nga nxënësit

Nxënësit e pesë shkollave të mesme të qytetit të Durrësit ishin këto ditë protagonistë të ekspozitës “Turizmi dhe riciklimi”, e cila u organizua nga shoqata “Udhëtim i lirë” me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Tiranë.

Ata dhanë mesazhin e domosdoshmërisë të një mjedis të denjë në një qytet me histori 3000-vjeçare.

Pjesëmarrësit, në ekspozitën e hapur për pesë ditë radhazi në galerinë “Nikolet Vasia” të qytetit bregdetar, shfrytëzuan materiale të riciklueshme të llojeve të ndryshme si plastike, shishe qelqi, etj, duke krijuar disa nga monumentet më të rëndësishme të qyteteve të Durrësit dhe Krujës.

Amfiteatri antik, Torra dhe muret mesjetare apo mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”, dhe mjaft objekte të tjerë arkeologjikë, erdhën edhe një herë para shikuesve të shumtë të punuara nga nxënësit artistikisht me material të riciklueshme.

Në ceremoninë që u zhvillua ditën e fundit  Birgitta Jansson, Shefe e bashkëpunimit pranë Ambasadës Suedeze ne Tirane i dorëzoi çmimin e parë grupit të nxënësve të shkollës “Leonik Tomeo”, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë u renditën nxënësit Flori Voci dhe Griselda Kape. /ATA/

Pin It