“Mos ma prekni pemën” kënga fituese në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë

Pas prezantimit të këngëve konkuruese, Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë uli siparin e edicionit të tij të 55-të, që u zhvillua si çdo vit në qytetin e Shkodrës.

“Mos ma prekni pemën” një këngë e kompozuar dhe orkestruar nga Kristi Popa, me tekst të Jorgo Papingjit, kënduar nga Ana Kodra është fituesja e çmimit të parë në edicionin e 55-të të Festivalit.

Ana Kodra rrëmbeu dy çmimet më të rëndësishme në Festival, çmimin e parë si këngëtarja më e mirë, ndërsa kënga që ajo interpretoi “Mos ma prekni pemën” u shpall kënga fituese e këtij edicioni. Ana Kodra do të përfaqësojë zyrtarisht Shqipërinë në Eurovision “Junior Contest”, i cili do të mbahet më 26 nëntor 2017 në Tbilisi, kryeqytetin e Gjeorgjisë.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë është cilësuar si festivali i vlerave ku fëmijët me apo pa çmime kalojnë eksperienca të jashtëzakonshme që mbeten gjatë në memorie si rezultat i një pune të jashtëzakonshme të Mjeshtrit të madh, Kujtim Alija.

Ky festival tashmë që prej vitit 1993 është bërë një skenë multikulturore, duke përcjellë vlerat shqiptare edhe të trevave përreth. Edhe këtë vit, festivali është mbuluar me transmetim direkt në RTSH, i cili ka edhe ekskluzivitetin e organizimit, në kanalet RTSH 2 dhe RTSH Muzikë.

Festivali mbarëkombëtar këtë vit erdhi nën organizimin e Bashkisë Shkodër, DAR Shkodër, QKF, Shoqatës “Shpirti Artistik i Shkodrës” dhe RTSH-së me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Në këtë festival morën pjesë rreth 200 fëmijë nga të gjitha trevat shqipfolëse, si dhe interpretuesit e vegjël më të spikatur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. /ATA/

Pin It