MPB: Aplikoni për pasaportat e reja, sportelet hapur edhe të shtunën 08:00-16:00

pasaporta

Kanë skaduar sot pasaportat biometrike të lëshuara në periudhën Prill 2009 – Korrik 2010, me afat të pasaktë për personat nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit.

Për këtë arsye, Ministria e Brendshme u ka drejtuar sot një thirrje qytetarëve të aplikojnë për pasaportat e reja.

Autoritetet e Ministrisë së Brendshme në një njoftim për mediat theksojnë se ka një neglizhencë sa i përket zëvendësimit të këtyre pasaportave, gjithsej rreth 165 mijë të tilla.

Ministria njofton se në kuadër të marrjes së masave të nevojshme për përballimin e fluksit të rritur të kërkesave për pajisjen me dokumente identiteti janë shtuar kapacitetet maksimale për të mbështetur procesin në fjalë.

Për këtë arsye, për t’u ardhur në ndihmë shtetasve shqiptarë, duke nisur nga data 2 Korrik zyrat e shërbimit të Gjendjes Civile dhe zyrat e aplikimit për dokumente identiteti do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë nga ora 08:00 – 16:00.

Ministria gjithashtu u kujton qytetarëve që kanë hasur problematikën e vlefshmërisë së gabuar të dokumentit biometrik, të aplikojnë sa më shpejt për pasaportat e reja, që të shmangin ditët e verës ku shtohet fluksi për shkak të ardhjes së emigrantëve.

 

Pin It