Muzeut Historik Kombëtar tryezë për mjeshtërinë e punimit të argjendit

“Mjeshtëria e punimit të argjendit në vendin tonë” titullohet tryzeza e organizuar sot nga Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Në këtë tryezë të rumbullakët u mbajtën disa kumtesa të rëndësishme. Aktivitetin e hapi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi i cili referoi mbi temën: “Objektet prej argjendi në Muzeun Historik Kombëtar”.

Në kumtesën e tij, Dr. Dorian Koçi u ndal tek trashëgimia, duke trajtuar më tej dhe mjeshtëritë e punimit të argjendit në vendin tonë.

Më pas referoi Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati mbi temë: “Restaurimi i objekteve prej argjendi në Muzeun Historik Kombëtar”. Ndërsa dha kontributin e saj edhe Vilma Nallbani, nga Instituti i Antropologjisë, e cila mbajti kumtesën me temë: “Argjendaria, një mjeshtëri tradicionale me vlera kulturore dhe artistike në shek. XVII-XX”.

Në fund të sesionit pati dhe një debat të hapur me pyetje nga pjesëmarrësit, ku u fol për detaje profesionale nga puna për mirëmbajtjen e objekteve prej argjendi, ato që tanimë janë pjesë e koleksionit të Muzeut Historik Kombëtar.

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Sektori i Programeve Edukative në Muzeun Historik Kombëtar organizoi sot gjithashtu një takim të zgjeruar me nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.

Nxënësit të shoqëruar edhe nga mësuesit e tyre u njohën me historikun e Muzeut Historik në tërësi duke vizituar pavijonet e muzeut, si edhe u njohën me historikun e vulave të shtetit shqiptar, duke vizituar ekspozitën “Vula të institucioneve të shtetit shqiptar”, e hapur prej disa ditësh në ambientet e muzeut.

Dita 29 shtator është shpallur si “Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore” në kuadër të zbatimit të ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, me Urdhërin e Ministrit të Kulturës../ATA/

Pin It