Namazet e Profetit (s.a.s)

Janë transmetuar shumë hadithe dhe një sërë ngjarjesh, që flasin rreth vërtetësisë së adhurimit që bënte Profeti (s.a.s). Aishja (r.a) – bashkëshortja e Profetit (s.a.s) – tregon, se ai (s.a.s) falej aq shumë natën, saqë i plasariteshin këmbët. Ajo e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, pse e bën këtë gjë, përderisa Allahu t’i ka falur të gjitha gabimet që ke bërë dhe ato që do të bësh”?! Profeti (s.a.s) u përgjigj: “A nuk duhet të jem rob falenderues”?! [Buhariu dhe Muslimi] Nëpërmjet kësaj përgjigjeje ne kuptojmë, se Profeti (s.a.s) nuk e konsideronte çështjen e namazit vetëm si një obligim që duhej kryer, por e kryente atë me dëshirë dhe dashuri. Nëpërmjet namazit të natës, ai (s.a.s) shprehte mirënjohjen e thellë për Allahun e Lartësuar, i Cili i kishte dhënë shumë mirësi e begati. Po ashtu, ky veprim i Profetit (s.a.s) shpjegon adhurimin e gjatë që bënte.

Në një hadith tjetër, Aishja (r.a) përshkruan namazin, që Profeti (s.a.s) falte për çdo natë: “Me të vërtetë, Profeti (s.a.s) falte 11-të rekate. Ky ishte namazi që falte natën. Kur binte në sexhde, qëndronte aq sa ndonjëri prej jush mund të këndojë 50-të ajete. Përpara se të falte farzin e Sabahut, falte dy rekate, pastaj shtrihej në krahun e djathtë, derisa vinte muezini për të thirrur ikametin për namaz” [Buhariu, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu].

Profeti (s.a.s) gjente qetësinë shpirtërore, kur falte namaz dhe kur këndonte Kuran. Hudhejfe (r.a) ka thënë: “Një natë u fala pas Profetit (s.a.s). Ai filloi të lexojë suren El-Bekare. Pasi lexoi 100 ajete, mendova se do të bjerë në ruku, por ai (s.a.s) vazhdoi të lexonte. Atëherë mendova, se do ta lexonte të gjithë suren. Kur e mbaroi suren, mendova se do të bjerë në ruku, mirëpo ai filloi të lexonte suren En-Nisa dhe më pas suren Ali Imran. Leximi i tij ishte normal dhe jo i shpejtë. Kur lexonte një ajet lavdërimi, e lavdëronte Allahun, kur lexonte një ajet lutjeje, lutej dhe kur lexonte një ajet kërcënimi, kërkonte mbrojtje tek Allahu. Më pas ra në ruku dhe tha: “Subhane rabbijel adhim”. Ai e zgjati rukunë afërsisht aq kohë sa kishte qëndruar në këmbë. Më pas tha: “Semiallahu limen hamideh”, u ngrit nga rukuja dhe qëndroi në këmbë afërsisht aq sa qëndroi në ruku. Më pas ra në sexhde dhe tha: “Subhane rabbijel a’ala”. Ai (s.a.s) e zgjati sexhden afërsisht sa qëndrimi në këmbë” [Muslimi, Nesaiu dhe Ahmedi].

Profeti (s.a.s) e falte gjithmonë namazin e natës, sepse gjatë natës ai kishte më tepër kohë që të kontaktonte me Krijuesin e Tij. Pikërisht, për këtë arsye ai (s.a.s) ka thënë: “Namazi më i mirë pas namazit farz është namazi i natës” [Ebu Daudi dhe Ahmedi ibn Hanbel]. Kur për ndonjë arsye nuk arrinte ta falte namazin e natës, ai (s.a.s) e falte kaza atë në mëngjes dhe këtë e bënte nga dëshira e madhe që kishte për të falur namazin e natës. Aishja (r.a) thotë: “Profeti (s.a.s.) falej gjithmonë gjatë natës. Nëse e zinte gjumi apo kishte dhimbje dhe si rrjedhojë nuk e falte namazin e natës, falte 12 rekate gjatë ditës” [Muslimi, Ahmedi ibn Hanbel dhe Ibn Hibbani].

Dëshira e madhe për të adhuruar Allahun e Lartësuar – veçanërisht për të falur namazin – duket mjaft qartë në fjalën e Profetit (s.a.s) drejtuar Bilal ibn Rebahas: “Çohu o Bilal dhe na qetëso me të (ezanin)” [Ahmedi ibn Hanbel dhe Ebu Daudi], ndërsa në një hadith tjetër thotë: “Kënaqësia ime është tek falja e namazit” [Ahmedi ibn Hanbel, Nesaiu, Bejhakiu dhe Abdurezaku].

Nuk ka dyshim, se njeriu duhet ta falenderojë shumë Allahun e Lartësuar për mirësitë e mëdha e të panumërta që i ka dhënë. Pikërisht këtë gjë bënte edhe Profeti (s.a.s). Gjuha e Profetit (s.a.s) gjithmonë ka qenë e lagur me dhikrin e Allahut dhe falenderimin ndaj Tij për mirësitë dhe begatitë e dhururara. Aishja (r.a) thotë: “Profeti (a.s.) e ka përmendur Allahun në çdo kohë” [Muslimi, Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ahmedi ibn Hanbel].

Pin It