“Namazi është drita e syrit tim…”

Padyshim që adhurimi kryesor në fenë Islame është namazi. Jeta dhe praktika e të Dërguarit të Allahut (s.a.s0 e tregonte më së miri këtë fakt. Namazi ishte një vepër që ai e priste me dëshirën e pasionin më të madh. Asgjë tjetër nuk i falte atij kënaqësinë që i falte namazi. Ndaj në një hadith sherif të transmetuar nga Enes b. Malik (r.a) ai thotë: “… Ndërsa drita e syrit tim është namazi”. [Nesaiu dhe Ahmed ibn Hanbel]

Sikur gëzohemi e bëhemi me krahë kur na jepet lajmi që po vjen njeriu ynë më i dashur, të cilin kemi kohë që e presim, atë ndjenjë e gëzim ka Profeti (s.a.s) kur i afrohet namazi, vetëm se ndoshta në këtë rast ky gëzim është njëqind herë më i fortë. Sikur ai të kishte ndenjur një kohë shumë të gjatë larg nënës sonë Fatmës, bijës së tij të dashur, pastaj dikush t’i thoshte “Fatma po vjen!” Sa do të gëzohej, sa do të lumturohej ai shpirt i shenjtë! Ashtu gëzohej e lumturohej kur dëgjonte zërin që lajmëronte ardhjen e namazit… madje edhe më tepër. Sepse namazi ishte dashuria e tij, pasioni i tij dhe gjaku i zemrës së tij.

Në një hadith tjetër të transmetuar nga Taberani, i cili përforcon hadithin e lartpërmendur, thuhet kështu: “Allahu i ka dhënë secilit Profet një dëshirë, qëllim e pasion. Sa për mua, pasioni im është namazi i natës.” [Mexhmeu’z- Zeuaid, 2/271] Kuptimi i tij është ky: Ju tërhiqeni prej pasioneve fizike, materiale e trupore, i ndiqni ato hap pas hapi dhe janë sinjalet e këtyre pasioneve që ju mbajnë në këmbë e ju tërheqin t’i ndiqni. Kurse unë me të dëgjuar zërin e ndërgjegjes që më thotë: “Ngrihu, koha për t’u falur!” i shkoj nga pas atij sinjali që më magjeps, më merr pas vetes derisa nuk bëj dot pa namazin. Ato net që nuk falem ose nuk ngrihem dot, janë çastet më të dhimbshme, më të trishtueshme për mua.

Burimi: Revista “Zani i Naltë”, vitit III(XVII), nr. 7(160), fq. 17.

Pin It