Namazi, kënaqësi që s’ka fund…

 

Përmbajtja e namazit, në marrëdhënien e njeriut me Zotin e vet, ndihet në shkallë e cilësi të ndryshme, sipas horizontit të zemrës e të shpirtit. Namazi, i falur me një zemër të fisme dhe në dashuri e këndellje, ka cilësi e shkallë të ndryshme të të përjetuarit që nga ndjesia se gjendesh në prani të Allahut, tek të shikuarit e vetvetes duke qëndruar në saf mes engjëjve, të përfytyruarit e vetvetes si një individ që është rreshtuar pas Zotërisë së Zotërinjve, Profetit (s.a.s), deri tek të ngriturit në një lëvizje të drejtpërdrejtë gjer në botët sublime dhe në vënien e kokës në mbulesën e Arshit.

Që njeriu të gëzojë një arritje të tillë, kushti i parë është që namazi të kuptohet njëlloj si një miraxh apo si hija e miraxhit. Në të vërtetë, çdo namaz është për besimtarin një mundësi miraxhi. Ndaj edhe në këtë pikë, besimtarit i mbetet si detyrë që në çdo namaz, qoftë edhe në dimensione nga më të ndryshmet, të plotësojë miraxhin e vet. Për këtë arsye, në namaz, çdo tel i shpirtit duhet të tingëllojë porsi një tel basi, ashtu që sexhdja të kthehet në një kënaqësi me të cilën nuk nginjesh asnjëherë; duatë në një ushqim që nuk i mërzitet kurrë njeriut; rukuja në një ton të veçantë; kiraati në një harmoni të renditjes njëra pas tjetrës të fjalëve të gjalla.

Ajeti që thotë: “Ai që kur ngrihesh (në namaz nate), të sheh ty; e po ashtu edhe kur drithërohesh mes atyre që përulen në sexhde.” [Surja Shuara, 218-219], krahas përshkrimit të namazit të Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik (s.a.s), na mëson edhe neve se si duhet ta falim namazin.

Sulejman Çelebija thotë: “Miraxhin e umetit e fala namaz.” Ndërsa Imami Allvarit shprehet: “Anijen e fesë e bën të ecë namazi, namazi në krejt ibadetin është i pari.” Duke qenë se namazi është miraxhi i besimtarit, në namaz besimtari duhet të ketë në zotërim veshin dhe syrin e vet. Ai vesh e sy duhet të dëgjojë vetëm ç’duhet dëgjuar, të shohë vetëm ç’duhet shikuar, të Vetmin, Allahun e lartësuar!

Pin It