National Geographic: Shqipëria, vendi që meriton më shumë vizitorë

butriny

National Geographic rendit Shqipërinë ndër vendet që meritojnë të vizitohen më shumë. Historia mund t’i ketë lënë këto vende si mbrapa fqinjëve, por ato nuk kanë më pak se ato për t’u ofruar turistëve, në mos më tepër.

Udhëtimi në Shqipëri është mahnitës, aventuresk dhe vlen për t’u provuar, pavarësisht problem infrastrukturore që mund të hasen. Dashamirësia e vendasve dhe bukuritë natyrore, plazhet, zonat historike dhe fshatrat e paprekur ofrojnë shumë për të zbuluar.

Situata në vend: Për disa dekada Shqipëria ishte ndër vendet më pak të vizituara dhe më pak të arritshme të Evropës juglindore. E shndërruar në një fortesë virtuale nën metodat izoluese të diktatorit komunist Enver Hoxha (i cili shpenzoi katër dekada duke ndërtuar nëpër gjithë vendin mbi 700 mijë bunkerë të panevojshëm dhe të padobishëm), Shqipëria përjetoi një kaos pas vdekjes së diktatorit në 1985 dhe rënies së mëpasshme të Ish Bashkimit Sovjetik.

Megjithatë sot Shqipëria nuk është më pak e sigurtë se shumë shtete të tjera më të njohura të Adriatikut. Një industri turistike në lulëzim – me qendër qytetet e mbrojtura nga UNESCO si Berati e Gjirokastra dhe vijën bregdetare të njohur si Riviera Shqiptare, e cila sjell rreth 3.5 milionë turistë në vit.

Pse të shkosh tani: Ndërsa plazhet e Adriatikut në Itali dhe Kroaci janë të mbipopulluara dhe të shndërruara në komplekse e resorte moderne, plazhet e bregdetit shqiptar janë të pasura me rrënojat e amfiteatrove grekë e romakë, kishat ortodokse plot ikona, dhe ndër të paktat në Europë, ku mund të shtrihesh në bregdet edhe gjatë sezonit turistik. Në jug të Vlorës, në fshatrat Dhërmi, Vuno dhe Himarë ndodhen dhoma me qira të lëshura nga banorët e zones për një çmim të lirë deri në 25$ nata.

Mos e humbni: Mungesa e zhvillimit të Shqipërisë ka qenë pjesërisht një ndihmë për zonat e mbrojtura si Trashëgimi Botërore nga UNESCO, midis tyre kompleksi i gjatë i Butrintit, ndër më të mëdhenjtë dhe më të mirëmbajturit e qyteteve greko-romake në europë.  Vetëm 20 minuta nga bregdeti i Sarandës, pranë kufirit me Greqinë, Butrinti i ngjan Ephesus nga Indiana Jones: një koleksion amfiteatrosh dhe kolonash në dukje të shkretuara, kisha të krishtera, bazilika bizantine dhe mozaikë romakë. Në gjysmë të rrugës mes Sarandës dhe Butrintit, qëndroni në Ksamil tek një restorant i stilit të kasolleve të plazhit, ku një familje vendase gatuan karkaleca deti me hudhër, ndalesa e përkryer për një drekë piktoreske.

Këshillë praktike: Pavarësisht një sistemi gjoja gjithëpërfshirës të autobusëve, pothuajse asgjë në Shqipëri nuk funksionon sipas orarit që gjendet në internet. Hiqni dorë nga oraret e printuara nga kompanitë e mëdha të autobusëve dhe përqafoni kulturën anarkike të të djersiturit në furgon ose minibus, veçanërisht në jug të Vlorës. Këta furgonë të bardhë që udhëtojnë me vazhdueshmëri jo shumë të rregullt, në një segment rrugor, duke marrë pasagjerë përgjatë rrugës, mbase nuk janë të parët në kohë, por ka gjithnjë një të tillë që shkon atje ku dëshironi të shkoni dhe ju. Ndërkohë që prisni, uluni në një nga kafenetë buzë rrugës dhe shijoni një kafe të fortë shqiptare, si dhe mësoni të interpretoni shkundjen e supeve që nënkupton “furgoni do të vijë herët a vonë”.

Pin It