Kontakti i menjëhershëm me nënën, jetik për të sapolindurit

Kontakti i parë me nënën dhe ushqyerja me qumësht gjiri brenda orës së parë të lindjes është jetik për të sapolindurit. Qumështi i gjirit është lënda ushqyese bazë e tyre, ndërsa antitrupat dhe kontakti me lëkurën e nënës i mbron foshnjet nga sëmundjet dhe vdekja.

Të dhënat e UNICEF tregojnë se rreth 77 milionë të sapolindur kudo në botë, ose 1 në 2, nuk ushqehen me gji brenda orës së parë të lindjes dhe nuk kanë kontakt fizik me nënën, gjë që ul shanset për të mbijetuar.

“Nëse të gjitha foshnjat nuk ushqehen me asgjë tjetër përveçse me qumësht gjiri që nga momenti që ata lindin dhe deri sa bëhen gjashtë muajsh, mbi 800.000 jetë do të shpëtoheshin çdo vit”, – tha France Bégin, Këshilltar i Lartë i UNICEF për Ushqimin.

Sa më shumë të vonohet ushqyerja me gji, aq më i madh është rreziku i vdekjes në muajin e parë të lindjes. Begin thotë se qumështi i gjirit është vaksina e parë e fëmijës, mbrojtja e parë dhe më e mirë që ata kanë kundër sëmundjes dhe infeksioneve.

Ushqyerja e foshnjave me lëngje ose ushqime të tjera vonon ushqyerjen e hershme me gji. Kur foshnjave u jepen alternativa më pak ushqyese sesa qumështi i gjirit, ata ushqehen më rrallë me gji, duke e bërë edhe më të vështirë për nënat që të fillojnë dhe vazhdojnë ushqyerjen me gji. Vetëm 43% e foshnjave nën gjashtë muaj në botë ushqehen plotësisht me gji.

 

Pin It