Ndahet nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi

Eshte ndare nga jeta në moshën 88-vjeçare regjisori Mihallaq Luarasi.

Mësohet se regjisori ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore. Luarasi ka qënë një nga regjisorët më aktivë, rezistentë të teatrit dhe skenës; ai është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, për shfaqjen e famshme “Njollat e Murrme”.

Për herë të fundit, dalja në publik e regjisorit ka qenë pikërisht për këtë dramë, kur për herë të parë është publikuar versioni në dorëshkrim, që e mbante me shpresë se do të mund ta realizonte në skenë sërish.

Mihallaq Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929 në Korçë dhe është regjisor i njohur shqiptar. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë. Në teatër për herë të parë si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në 1957 me shumë sukses në Teatrin Popullor, spektakël qe qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt më së 300 herë.

Luarasi është njëri nga tre regjisoret e shquar të periudhës më të ndritur e cilësore të teatrit shqiptar në vitet 1957-1973 : Luarasi – Spahivogli – Mani. Për arsyet që dihen, në Teatrin Kombëtar Luarasi vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si “Dragoi i Dragobisë”, “Dhelpra dhe rrushtë” (fituese e te gjitha çmimeve të para në Festivalin II kombëtar të teatrove), “Mosha e bardhë”, “Banorët e shkallës nr. 6”, “Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tillë”. Më 1966 vë për herë të parë në skenë në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”. Në 1973 vuri në skenë dramën e Tennessi Wiliamsit “Orfeu zbret në ferr”, dramë që u ndalua në provat e përgjithshme. /a.ke/

Pin It