Kursi Kombëtar i teknikave të muraturave në ndërtesat historike

Kursi Kombëtar i teknikave të muraturave në ndërtesat historike  do të zhvillohet në Tiranë dhe Voskopojë, nga data 30 tetor deri më 10 nëntor 2017.

Ceremonia e hapjes u zhvillua sot, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Salla “Tefta Tashko Koço”, me temë: “Analiza Strukturore dhe Metoda Përforcuese si dhe Teknika të Muraturave në Ndërtesat Historike”.

Në ceremoni morën pjesë  ministrja e kulturës,  Mirela Kumbaro , Drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës,Arta Dollani dhe Prof. Dr. Pirro Thomo.

Kursi është planifikuar të shtrihet në 12 ditë kalendarike dhe 11 ditë trajnimi, ku do të përqendrohet në çështjet e Analizës Strukturore dhe Vlerësimit të Muraturave në Ndërtesat Historike.Ai synon  forcimin e kapaciteteve të pjesëmarrësve, në fushën e trashëgimisë kulturore. Në të marrin pjesë njëzetë përfaqësues nga IMK, Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Ministria e Kulturës së Kosovës si edhe përfaqësues nga kompanitë e licencuara në fushën e restaurimit.

Nisur nga rezultatet e mëparshme pozitive dhe tepër inkurajuese të thuajse 10 trajnimeve të realizuara ndër vite, Sektori i Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim të Evropës Juglindore pranë IMK-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Komisionin Kombëtar të UNESCO-s, për vitin 2017, bëri të mundur konceptimin dhe realizimin e këtij Kursi Kombëtar.

Prof. Dr. Pirro Thomo, personalitet i shquar në fushën e Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri dhe Prof. Lorenzo Jurina, përfaqësues i nderuar nga “Universiteti Politeknik i Milanos” në Itali, do të drejtojnë panelet përgjatë këtyre 11 ditëve të trajnimit. Ata do të sjellin për pjesëmarrësit eksperiencën e tyre tepër të spikatur në fushën e Konservimit të Trashëgimisë Kulturore dhe Analizës Strukturore, sipas moduleve të përcaktuara në Programin e Trajnimit. /ATA/

Pin It