Ndërhyrja në autostradë, faza e pestë devijon trafikun tek Ura e Dajlanit

Në vijim të ndërhyrjes në superstradën Tiranë-Durrës, prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm ka nisur faza e pestë e punimeve për segmentin nga Ura e Dajlanit-Mbikalimi Sukth ne drejtimin Durrës-Tiranë.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Kështu, automjetet që udhëtojnë nga Durrësi në drejtim të Tiranës duhet të devijohen te Ura Dajlanit dhe të vazhdojnë në rrugën dytësore deri në kryqëzimin e Sukthit dhe në vazhdim mund të dalin përsëri në autostradë ose të vazhdojnë në rrugën dytësore.

Ky devijim i trafikut do të marrë fund mesnatën e datës 26 qershor.

Autoriteti njoftoi se punimet e fazës së IV në segmentin Ura e Shkozetit – Ura e Dajlanit, drejtimi Tiranë-Durrës kanë përfunduar dhe segmenti rrugor është i hapur për trafikun përpara afatit të parashikuar.

Kjo do të thotë se aksi Tiranë-Durrës është i përfunduar dhe i hapur në vijimësi dhe tani, do punohet në aksin në kthim Durrës-Tiranë. /ATA/

Pin It