Ndotja alarmante në Maqedoni, gazifikimi proces i vështirë por ofron zgjidhje

8D784D8C4842C5040B11BBECF60D8A2F

Ministri i Mjedisit në Maqedoni , Nurhan Izairi është shprehur se zgjidhja e problemit të ndotjes së lartë të ajrit vazhdon të jetë një sfidë serioze për qeverinë e Maqedonisë, ndonëse ditëve të fundit, kushtet klimatike kanë ndikuar në përmirësimin e situatës alarmante.

“Përmirësimi ka ndodhur për shkak të kushteve klimatike, teksa ajri është pastruar në nivel shtetëror. Por, kjo nuk do të thotë se institucionet duhet të qëndrojnë duarkryq”, tha ministri Nurhan Izairi.

Në kuadër të masave për zgjidhjen e problemit, në planet e qeverisë është edhe gazifikimi, një proces i vështirë për t’u realizuar, por që parashikohet të ndikojë dukshëm në reduktimin e ndotjes.

Lidhur me ndotësin më të madh të ambientit në rajonin e Tetovës, kombinatin metalurgjik të “Jugohromit”, që e ka ndërprerë punën përkohësisht, ministri Izairi tha se, pa plotësuar standardet ekologjike kjo fabrikë nuk duhet të nisë prodhimin.

“Jugohromi duhet t’i respektojë ligjet dhe të vendosë filtra. Nëse e bën këtë, cila do të kishte qenë arsyeja që të vazhdojë më tutje me punën?”, u shpreh më tej ministri Nurhan Izairi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqatave ambientaliste vlerësojnë se, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kundër ndotjes dhe kanë paralajmëruar bllokimin e rrugëve në shumë qytete pas 15 janarit.

Pin It