Ministria e Arsimit deklaron se numri i mësuesve që do të testohen në 21 janar është 4100. MAS ka publikuar gjithashtu udhëzimin për provimin dhe për përmbajtjen e testimit.
“Pjesa e parë përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës”, thuhet në udhëzimin e MAS.
Testimi është i rëndësishëm, pasi rezultatet e tij së bashku me vlerësimin për dosjen e secilit kandidat do të jenë përcaktues të shpërndarjes së mësuesve të rinj në vendet e punës.
Vlerësimi i testeve do të kryhet në Tiranë nga komisione të vlerësimit të testeve. Vlerësuesit e testeve janë të trajnuar dhe certifikuar nga IZHA. Rankimi i fituesve do të bëhet në përputhje me rezultatet e arritura në vlerësimin e dosjes dhe rezultatin e arritur në testim. Rezultati përfundimtar është shumatorja e pikëve të arritura nga kandidati në vlerësimin e dosjes dhe pikëve të fituara në testim.