Nënkampione e Europës në atletikë , Luiza Gega gati për Lojërat olimpike “Rio 2016”

13434787_1794460807452638_6225834914502543324_n

Luiza Gega ka bërë realitet ëndrrën e saj, duke u shpallur dje nënkampione e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa, duke i dhuruar Shqipërisë një medalje argjendi. Kjo është medalja e parë e atletikës shqiptare në një Europian, e arritur me shumë mund e sakfrifica nga Gega

“Jam nënkampione e Europës, akoma nuk mund ta besoj këtë gjë”, ka thënë Luiza Gega në faqen e saj zyrtare Facebook. “Me rezultatet që kisha arritur isha gjithnjë shumë pranë kësaj medalje. Jam jashtë mase e lumtur, pasi e gjithë kjo lodhje dha frutet e saj”, u shpreh më tej atletja kuqezi, që përgatitet për Lojërat Olimpike “Rio 2016”..

Në finalen e 3000 metrave me pengesa të zhvilluar në Amsterdam të Holandës, Gega u rendit e dyta me kohën 9’28”52, duke u mundur vetëm nga atletja gjermane Gesa Krause, që mori të artën. Pas një gare të shkëlqyer, Gega humbi terren vetëm në xhiron e fundit. “Desha të falënderoj të gjithë miqtë e mi, që më kanë falënderuar pa fund, në këtë ditë të veçantë për mua. Dua të falënderoj të fundit, por jo më pak të rëndësishmin, trajnerin tim, që ka patur gjithnjë besim tek unë, se kjo medalje do të vinte shumë shpejt”, tha Gega, referuar trajnerit Taulant Stërmasi.

Pritja në Rinas
Luiza Gega, solli në orët e vona të së hënës trofeun e nënkampiones së Atletikës në Aeroportin e Rinasit, pa bujë, por me një modesti dhe mallëngjim para atyre personave që kishin dalë për ta pritur. Mes tyre nuk ishte asnjë zyrtar, por sportdashës e përfaqësues të shoqërisë civile. Luiza Gega, nënkampione Europe në 3 mijë metërsh nuk mundi t’i fshehë emocionet për arritjet e saj, duke pohuar se ia dedikon gjithçka trajnerit të saj personal, i cili ka bërë që ajo të ketë këto rezultate që ka sot. Ndërkohë, pavarësisht rezultateve trajneri Taulant Stërmasi duket se është mjaft kërkues. Sipas tij, Luiza i ka mundësitë që të jetë akoma më e mirë, sidomos në kapërcimin e pengesave. Kjo është medalja e parë për atletikën shqiptare në një Europian, ndërsa Gega vendosi edhe rekord të ri shqiptar në këtë disiplinë, 9’28″52. Tani objektivi i radhës për atleten e talentuar është medalja në Lojërat Olimpike në Brazil, që do të nisin në gusht.

Qeveritarët presin testin anti-doping
Luiza Gega nuk është pritur nga asnjë prej drejtuesve të lartë të shtetit kur ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”. Burime të mirinformuara kanë deklaruar se është planifikuar takim I nënkampiones së Europës si me kryeministrin Edi Rama ashtu edhe me ministren e Arsimit e Sporteve, Lindita Nikolla, por këto do kryen pas pak ditësh. Arsyeja e vonesës është se qeveritarët nuk duan të përsërisin atë që ndodhi me peshëngritësit, që u kthyen me medalje, por që pas pak ditësh nga pritja madhështore zyrtare rezultuan si përdorues dopingu. Kështu është vendosur që të pritet përgjigjia zyrtare e kontrollit anti-doping që zhvillohet pas garës dhe pas konfirmimit të pastërtisë së atletes tonë atëhere qeveritarët do të presin e nderojnë Luiza Gegën për arritjen e madhe.

Pin It