23 qershori (nesër) do të shënojë fundin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në vendin tonë, të shpallur për shkak të pandemisë COVID-19. Përgjatë tre muajve, Shqipëria ka qenë në masa të rrepta sigurie të diktuara nga koronavirusi, të cilat u shoqëruan me kufizim të liri-daljes, mbylljes së bizneseve, shkollave, transportit publik, kufijve, pra në karantinë totale, masa këto të cilat erdhën duke e u lehtësuar.
Gjendja e fatkeqësisë natyrore u shpall më 24 mars, atëherë kur Shqipëria numëronte 5 viktima nga COVID-i dhe 123 të infektuar. Më pas Kuvendi vendosi shtyrjen e saj me dy muaj, deri më 23 qershor me argumentin se me lirimin e masave shtrënguese pritej një rritje e numrit të të infektuarve, siç edhe ka ndodhur, dhe në këtë formë, qeveria do të kishte mundësi për të reaguar. Ky vendim, u kundërshtua nga opozita, të cilët e cilësuan si një plan djallëzor të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, për të vijuar me tenderat sekret dhe për të kontrolluar qytetarët.