Nijeti, shpirti i çdo vepre

Besimtari, me nijetin e tij, shpërhap e duhet të shpërhapë dashurinë ndaj Zotit të Madhëruar në çdo rukën të namazit, duke pohuar: “Vetëm Ai është i Synuari i vërtetë, i Dashuruari i Vërtetë, i Adhuruari i Vërtetë!…” Në çdo recitim të namazit, ai duhet t’i qëndrojë besnik këtij nijeti. Veçanërisht në namazet nafile që falen individualisht, qoftë edhe në përmasa të vetështrëngimit, duhet të tregojë kujdes në këtë çështje. Ndërsa në namazet me xhemat nuk është e drejtë që të hyhet në një sjellje të tillë, sepse kjo do të nënkuptonte vështirësim në fe dhe imponim të një barre që s’mbartet dot. Por në namazet nafile që i falim vetëm për vetëm, nuk duhet të ketë ndonjë problem nëse i qëndrojmë përpjekjes dhe kërkimit për nijetin me sa të kemi në dorë, për ta kryer këtë punë nga fillimi gjer në fund duke e lidhur atë me mendimin e pranisë hyjnore. Namazi është miraxhi i besimtarit. [Fahruddin er-Razi, Mefatihu’l-gajb 1/214; Es-Suyûtî, Sherhu Suneni Ibn Maxhe f. 313]

Zoti i Madhëruar, në ajetin ku tregon për miraxhin, urdhëron e thotë: إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ “Nuk ka kurrfarë dyshimi se Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” [Surja Isra, 17/1] Këtu, përemri هُ (hu) mbart në referimin e tij dy interpretime. Në njërin interpretim, përemri i referohet Zotit të Madhëruar. Por në një tjetër interpretim, cilësorët Dëgjues i gjithçkaje dhe Shikues i gjithçkaje shprehin gjendjen e Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik. Tani, nëse me dy emra prej emrave të bukur, si “Semi’” dhe “Basir”, është cilësuar i Dërguari i Allahut (alejhis’salatu ues’selam), do të thotë se këtu tërhiqet vëmendja te një e vërtetë e rëndësishme. Do të thotë se Zotëria ynë (s.a.s.), gjatë Miraxhit, gjithçka që i është paraqitur syrit dhe veshit të tij, përmes aftësisë për të perceptuar e ndierë, e ka përthithur më së miri. Nuk ka humbur as sekondën, as të dhjetën e as të qindtën e Miraxhit. Që prej fillimit e gjer në fund, gjithçka ka kaluar thuajse nëpër kullesën apo filtrin e ndërgjegjes së Tij.

Në lidhje me këtë një dijetar thotë: “Miraxhin e umetit e fala namaz.” Ndërsa një dijetar tjetër i nderuar shprehet: “Anijen e fesë e bën të ecë namazi, namazi në krejt ibadetin është i pari…”

Pin It