Nis aplikimi i rekomandimit elektronik, prenotim online për vizitat te mjeku specialist

Për të bërë një vizitë mjekësore në spital, fillimisht një qytetari i duheshin dy rekomandime: nga mjeku i familjes dhe ai specialist, e më pas nevojitej caktimi i datës për konsultën.

Kjo situatë ka qenë edhe më e vështirë për pacientët e rretheve, të cilët duhet të udhëtonin drejt Tiranës vetëm për të caktuar ditën e konsultës. Në mjaft raste mund të ndodhte që për arsye të ndryshme pacientët të mos e kryenin dot vizitën në datën e caktuar.

Përmes rekomandimit elektronik, kjo sorrollatje pritet të marrë fund. Një qytetar mjafton të paraqitet te mjeku i familjes dhe data e vizitës për të mjeku specialist do të prenotohet online. Prej një jave në qendrat shëndetësore të Tiranës ka nisur aplikimi i rekomandimit elektronik.

Bruna Shiroka: “Rekomandimi që deri dje nga mjeku i familjes për të specialisti apo qoftë dhe për ekzaminime në nivelin sekondar bëhej në formë shkresore, tashmë ekziston mundësia që të aplikohet në mënyrë elektronike sikurse receta. Në sistemin elektronik nëpërmjet ID-së së pacientit ne marrim gjeneralitetet, përcaktohet çfarë shqetësimesh ka për të cilat duhet të shkoj te specialisti dhe vlerësohet se cili specialist do të rekomandohet. Është një listë specialitetesh dhe mjeku përzgjedh atë të duhurin në momentin përkatës”

Përmes rekomandimit elektronik, pacientët duhet të paraqiten te mjeku specialist sipas datës dhe orës së caktuar në sistem nga mjeku i familjes.

Bruna Shiroka: “Ne përcaktojmë datën e vizitës dhe kemi mundësinë për të përcaktuar dhe një fashë orari në të cilën pacienti duhet të shkoj pranë specialitetit, gjë që bën që pacienti mos të paraqitet, nëse data nuk ështe e sotme, artificilaisht pranë qendrës shëndetësore të specialiteteve, por të shkoj në datën e përcaktuar dhe mundësisht në orarin e përcaktuar. Mjeku i familjes referon në sistemin sekondar dhe mjeku specialist në këtë sistem mund të referoj për ndihmë të mëtejshme në sistemin terciar që është Qendra spitalore Universitare apo spitalet rajonale. Në këtë rast rekomandimi i përket mjekut specialist për ta përcjellë atje”

Brenda rekomandimit elektronik në varësi të diagnozave përfshihen ekzaminime dhe analiza të llojeve të ndryshme. Pas recetës elektronike, rekomandimi online konsiderohet një risi për sistemin shëndetësor shqiptar, që pritet të shmang radhët e pacientëve në dyert e mjekëve.

/Oranews.tv/

Pin It